Rend dhe Ligj

U rikthye në burg për pak ditë, Vangjush Dako përfundon dënimin dhe lirohet nga qelia

Gazeta Si – Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është liruar këtë të premte nga burgu, pasi ka përfunduar ditët e mbetura të vuajtjes së dënimit të tij me burgim.

Ai ka përfunduar dënimin e dhënë nga Apeli i GJKKO me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre.

Vetëm një javë më parë, Dako ishte rikthyer në qelinë e burgut pasi ishte shtruar në Spitalin e Durrësit për shkak të komplikacioneve shëndetësore.

Ai u shtrua më 16 shtator, ditën kur Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të konfirmonte dënimin e tij me 2 vite e 8 muaj burg, një vendim që i dha fund një procesi të zgjatur gjyqësor.

Sipas përllogaritjeve zyrtare të kohës së vuajtur të dënimit, Dakos i kishte mbetur për të shlyer vetëm gjashtë ditë izolim pas konfirmimit të vendimit nga Apeli, pasi pjesën më të madhe të burgut e kishte kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpie.

Dako u dënua në nëntor të vitit të shkuar me vendim të Shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme. Ai u shpall fajtor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në dy raste.

Rasti i parë i shpërdorimit të detyrës ndaj Dakos ka të bëje për lejen e një pallati 7-katësh. Në dosjen e SPAK-ut thuhet se pas lejes së parë për ndërtimin, pronari kishte aplikuar sërish për një leje për 4 kate shtesë. Por ndërkohë që leja e dytë nuk ishte zbardhur, punimet vijuan në kundërshtim me ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë