Nga Gazeta “SI” – Aktorja shqiptare Ema Andrea, është nderuar me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace”, një bashkëprodhim teatror ndërkombëtar me regji të Blerta Nezirajt.
Që nga viti 1998 “Soroptimist International d’Italia – Club Cividale del Friuli” ndan çmimin prestigjioz “Adelaide Ristori” për artisten/in më të mirë të edicionit paraprak të “Festivalit Mittelfest”. Për vitin 2024, ky çmim i është ndarë aktores shqiptare Ema Andrea.
Aktorja Andrea për Gazetasi.al rrëfen se një çmim i tillë e nderon por i shton dhe përgjegjësitë. Ajo shton se ndihet dyfish krenare që shfaqja për të cilën ajo u nderua, ka për regjisore një grua, Blerta Nezirajn.
“Të marrësh një çmim të rëndësishëm në një festival të rëndësishëm, sinqerisht më lumturon shumë por më bën edhe më të përgjegjshme për ta nderuar dhe merituar këtë çmim. Ky çmim erdhi si bashkëpunim me qendrën “Multimedia”, dhe regjisoren Blerta Rustemi Neziraj , çka më bën dyfish krenare që marr një çmim me një regjisore grua. Puna e qendrës “Multimedia” i ka zgjeruar prej kohësh kufinjtë duke i dhënë mundësi aktorëve nga Shqipëria por edhe Kosova të rriten profesionalisht duke interpretuar edhe në gjuhë verbale siç është ky rast, në anglisht”

Ajo shprehet se sado aktore e mirë dhe me pervojë, asgjë nuk arrihet pa bashkëpunëtorë të mirë dhe me durim.
“Rolin e kemi ndërtuar si një laborator i përbashkët, me dramaturgun Jeton Neziraj, Blerta Nezirajn dhe të gjithë stafin e kolegëve që më kanë suportuar. Unë nuk besoj se një aktore mund ta realizojë rolin aq mirë ose të veçohet nëse nuk i ka këto rrethana sëbashku që nga ndërtimi i karakterit, ndërtimi dramaturgjik, hapësira skenike dhe puna me të gjithë stafin. Durimi me të cilin kam punuar dhe orientimi të cilët kam pasë fatin ti kem nga Blerta kanë qënë çelësat që ma kanë çuar drejt një trofeu që këtë rradhë erdhi tek unë”

Për Ema Andrean ky çmim përtej vlerës artistike, përbën dhe një lloj emocioni personal.
“Ky çmim më ktheu në vitet e para të emigracionit shqiptar në Itali, ku prej anijeve që ankoroheshin, thirrej “Liberta”, ndërkohë unë në Shqipëri ndërtoja ëndrra me Dario Fo dhe Pasolinin. Të nderohem me një çmim në tokën italiane për mua përbën një emocion personal krejt të veçantë të cilin nuk arrij dot ta artikuloj me fjalë” përfundon Andrea
Çmimi “Adelaide Ristori’ ndahet në nderim të aktores që u lind më 29 Janar, 1822 dhe u bë një nga gratë më të rëndësishme të teatrit evropian dhe perëndimor në shekullin XIX.
E frymëzuar nga libri I Richard Holbrooke “To End a War” dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, “Negotiating Peace” tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen?
“Negotiating Peace” është prodhuar nga Qendra “Multimedia”, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali); Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani); Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki); R.A.A.A.M (Estoni); Mittelfest (Itali); Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë); Black Box Teater (Norvegji) dhe My Balkans (SHBA/Serbi).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.