Rend dhe Ligj

U ndalua nga “Shpirti”, Apeli lë në arrest shtëpie prokurorin Sota

Apeli i Gjykatës së Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për prokurorin e pezulluar të Vlorës, Maksim Sota. Ai u ndalua gjatë operacionit të përbashkët mes SPAK dhe antimafias italiane, të koduar “Shpirti” nën dyshimet e shpërdorimit të detyrës për të mbështetur një grup ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali.

Prokurori Sota, ish-kandidat për në SPAK, paraqiti një kërkesë për t’u pezulluar në KLP, ndërkohë që hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij për shpërdorim detyre. Gjatë mbrojtjes në shkallën e parë, prokurori tha se emri i tij është përmendur nga një i penduar i drejtësisë për arsye të tjera, por duke rezervuar të drejtën që këto “arsye të tjera” t’i shpjegojë në një moment të mëvonshëm, duke nënkuptuar se po sulmohej për shkak të detyrës.

Emri Maksim Sota del nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Doniald Drolli dhe Maringlen Shusha, sipas të cilëve drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari, arrestuar në Shqipëri në korrik 2020 kishte lidhje me prokurorin, madje i kishte siguruar një shtëpi me qira të cilën e paguante trafikanti.

Sota mohoi akuzën duke deklaruar se ka jetuar te shtëpia e vëllait të tij në Vlorë. Sipas Drollit dhe Shushës, i cili thirrej edhe “Lani”, grupi kishte garanci dhe lidhje të forta në Policinë e Vlorës për të kryer aktivitetin e tij kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Dy nga pikat më të forta të mbështetjes në Policinë e Shtetit, ishin ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, dhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i njohur si “Festim kokë-lopa”, plus dhe prokurori Maksim Sota i cili i mbyllte çështjet me drejtësinë.

Në dosjen e SPAK-ut, sipas të penduarve të drejtësisë, thuhet se ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla jepte garanci për pjesën tokësore të trafikut, përfshirë kultivimin, magazinimin dhe transportin deri në momentet që do të hidheshin në skaf.

Sipas tyre, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, ka qëndruar në shtëpinë me qira, që paguhej nga Duçellari, bashkë me Sotën dhe të penduarin Shusha. Aktiviteti i grupit kriminal, sipas të penduarve pësoi goditje në momentin që Balla u transferua drejt Dibrës dhe iku nga qyteti i Vlorës.

Aktiv në grupin e strukturuar kriminal, ishte dhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i cili sipas të penduarve të drejtësisë, merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut.

“Në kohën që ka ndodhur vepra penale, se bëhet fjalë për trafik droge të ndodhur në 2014-2017, Festim Lelaj ndodhej në Drejtorinë e Kufirit. Sipas të penduarve, ai merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut dhe në përgjime atë e cilësojnë si “Festim kokë-lopa”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë