U nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, shkrimtari dhe dramaturgu i shquar shqiptar, Fadil Kraja.
Lajmin e dha vajza e tij Nereida Llazani-Kraja.
Ndërkohë, Teatri “Migjeni” më Shkodër ka njoftuar se homazhet për këtë figurë të shquar do të zhvillohen ditën e nesërme, më 19 nëntor, nga ora 9-12, në hollin e teatrit.
Fadil Kraja ishte një nga penat më të ndritura të dramaturgjisë shqipe. Ai mban titujt: “Kalorësi i urdhrit së Skënderbeut”, “Mjeshtri i Madh”, “Krenaria e Qytetit”.
Krijimtaria dhe emri i tij lidhen ngushtë me Teatrin Kombëtar Shqiptar dhe Teatrin “Migjeni” të Shkodrës ku në këtë të fundit ka kontribuar për rreth 60 vjet.
Kraja ka shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme të shfaqura në të gjithë teatrot e Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë.
Ai ka rrëmbyer jo pak çmime letrare, sidomos në dramaturgji. Kraja është Laureat i Çmimit të Republikës. Kontributi i tij është çmuar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i cili i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i madh”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e 70 vjetorit të themelimit të trupës profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër e dekoroi shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja me Urdhrin e Kalorësit te Flamurit.
Mes veprave të shumta dramaturgjike të tij përmenden: “Fisheku në pajë”, i cili vetëm në Shkodër u shfaq rreth 500 herë, “Sinjalet e natës”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve” “Gjaku i Arbërit”, “Djem të mbarë”, “Rozafa”, “Kur flasin zemrat”, “Surpriza”, “Martesë me internet” etj.
Veprat e tij janë luajtur nga aktorë me peshë në skenën e Teatrit të Shkodrës si Ndrekë Luca, Tinka Kurti, Ndrekë Prela, Lec Bushati, Vitore Nino, Bep Shiroka, Ymer Bala, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, çifti Bruno Shllaku e Paskualina Gruda, si dhe shumë aktorë të trupave profesioniste të Tiranës, Korçës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe trupës teatrore të Prishtinës.
Fadil Kraja u lind në Shkodër në vitin 1931. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin e Shkodrës ku spikati me talentin për letërsinë. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Filologjisë, dega Gjuhe-Letërsi. Pas diplomimit punoi si mësues, profesion të cilin e trashëgonte edhe nga familja e tij.
Nga viti 1972 deri më 1992 ka qenë shkrimtar në profesion të lirë, duke vazhduar si pedagog i jashtëm në fakultet dhe njëkohësisht Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Degën e Shkodrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.