Rend dhe Ligj

U merrte para shoferëve, arrestohet polici. Akuzohet për vjedhje e shpërdorim detyre

Gazeta Si - Një punonjës i Policisë Rrugore në Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Sigurisë së Autostradave në Kukës, u arrestua pasi ishte shpallur në kërkim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore me akuzën për veprën penale "vjedhje, duke shpërdoruar detyrën".

Punonjësi Bekim Sulaj, është i fundit që është arrestuar nga punonjësit e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim një muaj më parë në kuadër të operacionit të koduar “Targa e huaj” ku u dokumentuan rastet e përvetësimit në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga ana e punonjësve të qarkullimit rrugor.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës - Dibër) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest me burg” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit Bekim Sulaj., me detyrë trupë shërbimi në Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Sigurisë së Autorstradave, i dyshuar për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, njoftoi AMP.

Prokuroria e Kukësit lëshoi 22 masa sigurie më 19 shtator, për punonjës të Policisë së Shtetit në nivele të ndryshme, pasi përvetësuar lekët e gjobave rrugore.

Konkretisht gjykata caktoi masën arrest me burg për 6 efektivë policie, për 4 arrest shtëpie dhe 12 të tjerë detyrim paraqitje. Sipas hetimeve ka rezultuar se në total janë vjedhur 2.2 milionë lekë të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë