Gjendet i vdekur në Fier, Demokrat Medinaj, 29-vjeçari i cili një ditë më parë masakroi me thikë bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar vdekjen.
Banorët e zonës kanë njoftuar policinë, pasi gjetën një trup të pajetë në fushën ku hidhen plehrat e qytetit, në vendin e quajtur “Vija e ngjalës”.
Medinaj ishte në kërkim nga policia, pasi vrau gruan në banesë dhe u largua pas krimit.
Policia thotë se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune, ndërsa dyshohet se i riu mund të ketë varur veten.
“Sot rreth orës 10:20, në vendin e quajtur “Vija e ngjalës”, është gjetur pa shenja jete shtetasi D. M., 29 vjeç, banues në lagjen “Sheq i madh”, Fier, i cili ishte në kërkim nga Policia pasi pasditen e djeshme ka vrarë me mjet prerës(thikë), bashkëshorten e tij. Nga këqyrja paraprake e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Trupi i viktimës është transportuar në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko ligjore më të specializuar.
Një ditë më parë, Demokrat Medinaj qëlloi bashkëshorten e tij, Irvana Hykën, 28 vjeçe, mbi 30 herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të thella në të gjithë trupin.
Ngjarja bëhet edhe më e dhimbshme, pasi u mësua se e reja ishte 6-javëshe shtatzënë në pritje të fëmijës së tretë të çiftit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në lagjen Sheq i Madh në Fier, në prani të dy fëmijëve të mitur të tyre, 6 dhe 4 vjeç.
Sipas familjarëve, ata nuk kanë pasur mosmarrëveshje më herët, apo edhe probleme familjare. Sipas tyre, krimi ndodhi pas një debati të çastit.
Autori, pasi kreu krimin, arriti të arratisej, ndërsa sot është gjetur trupi i tij i pajetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




