Dosje

E lidhën në pemë dhe e masakruan me thikë para se ta vrisnin, Fatmir Ara mund të jetë futur në grackë

Gazeta Si - Vrasja e biznesmenit shqiptar në Itali, Fatmir Ara ka qenë më e tmerrshme nga sa dukej në fillim.

Ai është lidhur në një pemë fillimisht dhe është masakruar me thikë para se të ekzekutohej me të paktën 3 plumba pistolete, edhe pse dyshohet se janë përdorur dy armë zjarri nga autorët.

Mediat italiane që përcjellin detaje të reja, theksojnë se të gjitha këto janë hipoteza të cilat po analizohen nga hetuesit që po përpiqen të zbardhin krimin e rëndë.

Sipas tyre, kushdo që vendosi ta ekzekutonte Fatmir Arën në mënyrë kaq të tmerrshme, donte të jepte një mesazh të qartë në ambientin e shpërndarjes së drogës.

Hetimet për të kapur vrasësin/it e 43-vjeçarit, kufoma e të cilit u gjet në një fushë mes San Carlo dhe Vauda Canavese pranë Torinos janë komplekse.

Emigranti shqiptar, i cili prej vitesh jetonte në Mathi të Torinos, dyshohet të jetë vrarë nga 3-4 persona, me të paktën 3 plumba armësh zjarri.

Të paktën këto janë të dhënat e para që dalin nga hetimet e karabinierëve në Venaria dhe mjekëve ligjore.

Megjithatë një përgjigje më të saktë, autoritetet italiane pritet që të japin pas përfundimit të autopsisë.

Hetuesit po analizojnë pamjet e kapura nga disa kamera sigurie të shtëpive private, të vendosura në rrugën që të çon tek vendi ku u gjet i vrarë shqiptari.

Zona në fakt gjatë natës nuk është e ndriçuar dhe s’ka  kamera. Në atë vend kanë ndodhur krime të shumta.

Në të shkuarën janë gjetur makina e trupa të djegur, por edhe armë e drogë të fshehura mes bimësisë, apo të groposura.

Në rrugën që të çon drejt kësaj zone, dyshohet se Fatmiri u takua me vrasësit e tij, që me gjasë i njihte, apo kishte pasur të bënte kohët e fundit.

Sipas hetuesve, viktima mund të jetë futur në grackë, pak minuta pasi kishte dalë nga shtëpia.

Ai ishte nisur për në punë mëngjesin e së premtes, në orën 07:30 e më pas u zhduk, pa bërë as edhe një telefonatë me bashkëshorten e re me të cilën kishte 2 fëmijë.

Armët e përdorura për të ekzekutuar Arën nuk janë gjetur dhe ekspertët po kryejnë disa ekzaminime e po mbledhin çdo të dhënë në makinën e braktisur pak metra nga vendi ku u gjet trupi i pajetë.

Makina mësohet se është në pronësi të një tjetër shqiptari, i cili nuk besohet të ketë lidhje me ngjarjen.

Që prej së shtunës në mbrëmje, hetuesit vijojnë të marrin dëshmi nga disa persona, të njohur e miq të Mirit, në përpjekje për të rindërtuar lëvizjet e tij e mbi të gjitha për të kuptuar rrjetin e tij të lidhjeve.

Po ku duhet kërkuar për vrasësit? Në punën e tij si sipërmarrës apo në fushën e shpërndarjes së kokainës? Për shkak të trafikut të drogës, shqiptari e kishte shlyer dënimin e fundit pak më shumë se një vit më parë.

Ai besohej se ishte drejtues i një rrjeti që fitonte rreth 700 mijë euro nga shitja e kokainës në zonën e Ciriaceses të Torino.

Me pak fjalë, një biznes diskret që kryhej nga njerëz të cilët në përditshmërinë e tij bënin punë të zakonshme.

Mediat italiane raportojnë se shqiptari kishte kryer disa investime në zonë. Ai ishte ende në “arrest shtëpie”, por kishte leje për të shkuar të paktën në punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë