Lajme

U kap në Kakavijë, lirohet “i forti” i Shkodrës, Lulzim Kulla

Gjykata e Gjirokastrës ka liruar nga burgu Lulzim Kullën, i njohur si i “forti” i Shkodrës, të cilit iu bë atentati me tritol 10 muaj më parë.  

Ai ishte arrestuar pak muaj më parë në pikën kufitare të Kakavijës me një pasaportë të falsifikuar, në tentativë për t’u larguar drejt Greqisë.

Policia e konsideron Lulzim Kullën si kreun e një grupi kriminal, që prej vitesh u vinte gjoba tregtarëve në Shkodër, në këmbim të garantimit të objekteve tregtare. 43-vjeçari Kulla është akuzuar më parë se ka marrë pjesë në torturimin deri në vdekje të një prej tregtarëve, që nuk i është bindur gjobëvënies së tij. Bëhet fjalë për një tregtar që merrej me shitjen e gazit, për vdekjen e të cilit nuk pati asnjë autor.

43-vjeçari është një nga të arrestuarit për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit. Edhe pse nga policia ai konsiderohej si një prej organizatorëve për kultivimin e një sasie të madhe të bimëve narkotike, ai u la i lirë pas vetëm 6 muajsh, për mungesë provash. Në operacionin dyditor të gushtit 2016, u zbuluan mbi 40 parcela me kanabis me mbi 10 mijë rrënjë. Ndonëse Policia arrestoi shumë persona të akuzuar si organizatorë të kultivimit të bimëve, mes të cilëve ishte dhe Lulzim Kulla, shumë prej tyre u lanë të lirë për mungesë provash. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë