Politike

PD e futi në listën e deputetëve, por a po shkon Shpëtim Idrizi drejt PS?

Shpëtim Idrizi renditet si deputet në grupin parlamentar të PD-së bashkë me Mesila Dodën edhe pse rezultati i PDIU-së zgjedhjet e kaluara parlamentare ishte larg nga pritshmëritë.

Asnjeri prej tyre nuk e theu herësin duke u futur në listë vetëm si pasojë e një renditje  të sigurt  nga ish-kryetari i PD-së, Lulzim, Basha. Idrizi mori 7450 vota në listën për Tiranën nën siglën e Partisë Demokratike ‘Aleanca për Ndryshim”

PDIU po ashtu ka krijuar një grup parlamentar (Demokraci dhe Integrim) në Kuvend që drejtohet nga Mesila Doda me deputetë të huazuar nga PD-ja.

Megjithatë, Shpëtim Idrizi prej kohësh është parë i distancuar nga PD-ja.

Ai nuk ishte në takimin e së mërkurës që Sali Berisha zhvilloi me aleatët në selinë blu, Fatmir Mediun, Agron Dukën, Dashamir Shehin dhe Vangjel Dulen.

Madje as Mesila Doda. Asnjë përfaqësues nga PDIU.

Shpëtim Idrizi zhvilloi një takim të veçantë edhe në Presidencë me kreun e shtetit Bajram Begaj këtë të enjte.

Më herët partitë e tjera aleate kishin zhvilluar një takim në bllok me Presidentin për datën e zgjedhjeve.

Ai madje e sheh veten të shkëputur nga grupi tjetër i partive aleate të opozitës. “Ai grupim që ka qenë dje ka qenë gjithmonë një grupim i përbashkët politik prej kohësh.

Unë s’kam qenë asnjëherë pjesë e këtji grupimi meqë keni merak se është dhe dikush aty që ju e ngrini me të madhe”, tha Idrizi për mediat.

Ndërsa partitë aleate me Berishën ranë dakord për një kandidat në të gjitha zonat. Idrizi vlerëson se partia që ai drejton mund të ketë ndonjë kandidat potencial në ndonjë zonë të caktuar.

 “Brenda grupeve opozitare ka shumë grupime, e ka qenë bashkë grupimi që ka qenë dje, PDIU do jetë në kontakt me gjithë forcat politike relevante e do vlerësojmë se këto janë zgjedhje lokale dhe forcat politike dhe PDIU është e interesuar të ketë këshilltarë, por mund të ketë e zona që ne jemi akoma në vlerësim e për të parashtruar aty ku valenca e PDIU është më e madhe.

Ne jemi të hapur të diskutojmë dhe të mbajmë qëndrimet tona duke pasur eksigjencat e këtyre zgjedhjeve se ka dhe shumë probleme të mbartura që duhen zgjidhur”, tha Idrizi. A do luajë Idrizi me aleanca fluide keto zgjedhje, apo do te pozicionohet ne ndonje kah? Kjo mbetet për tu parë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë