Gazeta Si – Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi nga Pllana e Lezhës, i cili u ekzekutua me armë zjarri në Athinë, dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes më 15 mars në Larushk të Fushë-Krujës.
Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve, Ilir Beqaraj (Brahimi), rezulton të ketë lidhje familjare me të, konkretishti kunat me Brahimin.
Ky i fundit, sipas burimeve të policisë së Tiranës në bashkëpunim me grupin e Niklës, ka dyshime të forta se kanë bashkëpunuar për të kryer këtë atentat, e po ashtu dyshohen të perfshirë edhe në disa ngjarje të fundit të ndodhura në Kurbin dhe Lezhë.
Ata mendohet të kenë qenë financues dhe organizatorë, për të goditur grupet rivale që i shihnin si rrezik për sigurinë e tyre. Për vrasjen e Gentjan Bejtjes dyshohet se pajtuan qitës nga Vlora.
Prej dy vitesh Roan Brahimi ishte larguar nga shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët.
Atentati ndaj mikut të tij të dikurshëm Ylli Brakimi në Milot ku mbeti i vdekur Klisman Peçi e largoi atë nga Shqipëria duke u strehuar në Emiratet e bashkuara.
Por, kundërshtarët e gjetën mbrëmjen e së enjtes në një lagje në Athinë ku kishte shkuar për të festuar Pashkën dhe dy persona me motor i janë afruar dhe e kanë qëlluar për vdekje.
Deri më tani pistat e hetimit janë fokusuar në hakmarrje, pasi 32-vjeçari që njihej edhe me emrin Sidorel Prendi ka precedent të rrezikshëm kriminal në Shqipëri. Përplasjet e armatosura datojnë që në 2014 kur në një atentat vriten 2 kushërinjtë e tij Klodian Ndreca e Taulant Prendi dhe u plagos Aurel Prendi.
Sa i takon Gentjan Bejtjes, 43-vjeçari u vra me më shumë se 30 plumba pasditen e 15 marsit, brenda serës me domate në oborrin e shtëpisë.
Nga makina “Land Rover Discover” që u ndal te porta e oborrit zbritën 3 persona, të cilët hynë qetësisht derdhën breshëri plumbash drejt tij dhe po aq qetësisht u larguan.
Në drejtim të Bejtjes është qëlluar nga 3 kallashnikovë, kjo tashmë e provuar edhe nga rezultatet e ekspertizës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.