Gazeta Si- Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Leonard Dukën, i cili pak ditë më parë u ekstradua në Shqipëri nga Belgjika për llogari të SPAK.
Më herët, GJKKO kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë "arrest në burg" për veprat penale të “Vrasjes me dashje e kryer ne bashkëpunim”, “armëmbajtje pa leje”, “sigurim i kushteve për vrasje” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet është provuar se Leonard Duka në bashkëpunim me 6 persona të tjerë janë autorë të dyshuar të vrasjes së Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur në vitin 2019 në rrugën “Xhamfize Keko” në Tiranë.
Malko njihej si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, i zhdukur pa gjurmë prej afro 2 vitesh tashmë, e ndërsa sulmi me armë ndaj tij ka ardhur për shkak të përplasjeve të vazhdueshme që grupi i Martinajt kishte me grupin Duka.
Një tjetër ngjarje ku Leonard Duka rezulton i përfshirë është edhe ajo e vrasjes së anëtarit tjetër të grupit “Martinaj”, Erigres Mihasi.
Prokuroria thotë se Duka ka planifikuar sulmin ku viktimë mbeti edhe Armand Dumani, ngjarje e ndodhur më 13 nëntor 2021.
Nga operacioni “Revansh”, SPAK thotë se Leonard Duka se bashku me vëllain e tij Erlis akuzohen për sigurim kushtesh për të vrarë Ervis Martinajn, person ky prej të paktën 2 vitesh rezulton i zhdukur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.