Lajme

U ekstradua nga Anglia, Gjykata lë në burg Gentian Dodën

Gentian Doda ka mësuar sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’ nga Gjykata e Krimeve të Rënda. 41-vjeçari u ekstradua vetëm tre ditë më parë nga Anglia, pasi akuzohet të ketë kryer veprën penale të korrupsionit aktiv.

Doda akuzohet se i ka dhënë gjyqtarit, Shkëlqim Miri shumën e 30 mijë eurove për të përfituar një lehtësim në dënimin që kishte marrë për dy vrasje në vitin 1997. Prokuroria e akuzon Dodën se me 30 mijë eurot e dhëna ndaj gjyqtarit Miri ai ka përfituar një ulje në gjykim, duke u dënuar vetëm me 20 vite për dy vrasjet që kishte bërë në qytetin e Burrelit.

Kështu, falë kësaj afere të kryer në bashkëpunim me gjyqtarin, Shkëlqim Miri, 41-vjeçari Doda doli nga burgu më 7 Korrik të vitit 2017. Por në nëntor të atij viti, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të drejtësisë”.

Në atë periudhë policia ushtroi edhe kontroll në shtëpinë e gjyqtarit Miri, të cilit iu gjetën shuma të mëdha parash të fshehura në shtëpi dhe iu sekuestruan nga prokuroria. Një vit më vonë gjyqtari Miri u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg nga Shkalla e Parë me akuzën e korrupsionit, por pas apelimit ai përfitoi ulje të dënimit dhe në fund ia arriti të fitonte lirinë.

Gentian Doda u bë i njohur më media edhe për shkak se gazeta prestigjoze britanike, “Daily Mail” i kushtoi një reportazh të veçantë. Në shkrimin e saj gazeta britanike ngrinte pyetjen se si është mundur që një vrasës i dënuar në Shqipëri të mund të hynte dy herë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar pa asnjë problem.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë