Drejtësia

U dënua për korrupsion, lirohet nga burgu ish-gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha

Gazeta Si - Gjykata e posaçme e Apelit ka liruar nga qelia ish-gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha dhe sekretaren e gjykatës, Manuela Mallkuçi.

Një ditë më parë gjykata e refuzoi lirimin, sepse nuk ishte plotësuar afati për shuarjen e masës së sigurisë.

Hoxha u dënua me 3 vite burg nga Gjykata e Shkallës së parë me akuzën për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

LEXO EDHE:
- Hoxha, gjyqtarja që hapi dyert e qelive për të fortët
- Si u shformua një gjyqtare? Detaje ekskluzive nga dosja që e dërgoi në burg Enkeleida Hoxhën
- Skema, si i gjente “klientët” gjyqtarja e arrestuar e Krujës

Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi 1/3 e uljes së dënimit. Po ashtu për Hoxhën u dha edhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik.

Gjatë seancave, ish-gjyqtarja ka kërkuar pafajësi në gjykatë, pasi pretendoi se arrestimi i saj ishte një sulm politik.

Prokuroria përdori një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale, që përfshinin të hetuarit, edhe pse vetë të akuzuarit kanë mbajtur një qëndrim mohues.

Enkelejda Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit.

Enkeleida Hoxha, e njohur për lirimin para kohe me kusht të shumë emrave të njohur të botës së krimit, u arrestua në sallën e gjyqit në momentin që do të merrte një tjetër vendim për lirimin nga qelia të një të dënuari me 25 vite burg.

Ajo do të lironte Sajmir Petanin, i ekstraduar nga Italia për vrasjen e Romeo Beqirit disa vite më parë. Për këtë të dënuar gjyqtarja kishte marrë vendime për ulje dënimi edhe më parë.

Emri i ish-gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, si dhe ai edhe Hekuran Billa, i vrarë në një atentat në Tiranë.

Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në Angli, por 10 vite para përfundimit të dënimit, Hoxha i fali 5 vite Billës, ndërkohë që 5 vitet e fundit i konvertoi në shërbim prove, duke e nxjerrë atë menjëherë nga qelia

Sipas ILD kanë qenë disa vendime të marra nga Hoxha në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019 të cilët sipas hetimeve kanë rezultuar me shkelje.

Hoxha kishte kërkuar disa herë një masë më të butë sigurie për të shmangur qëndrimin në qeli, por gjykata ka refuzuar kërkesat e saj. Deri ditën e sotme (e diel, 12 qershor), kur vendosi ta lirojë nga qelia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë