Drejtësia

Kryebashkiaku i Tropojës, Rexh Byberi paraqitet në SPAK: U thirra për një hetim, jo për mikun tim McGonigal

Gazeta Si - Kryebashkiaku socialist i Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi është paraqitur mesditën e kësaj të enjteje në SPAK, ku ka qëndruar për rreth një orë.

I pyetur nga mediat pas daljes nga SPAK nëse ishte thirrur lidhur me çështjen "McGonigal", Rexh Byberi tha: "Mcgonigal e kam pritur si mik, por s’u pyeta për atë, isha për një tjetër çështje. E kam prit si mik, e dua si mik dhe jam krenar që Tropoja pret miq dhe i respekton”.

I pyetur nëse i ka dhënë të afërmve të tij tenderë në formë favorizimi, Byberi u përgjigj: "S’i kam dhënë kujt, aty janë dokumentet".

Ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal është dënuar në SHBA për dy akuza, për lidhje të forta me oligarkun rus të mbështetur nga Kremlini, Oleg Deripaska dhe për mosdeklarim të ardhurash në lidhje me ish-agjentin shqiptar Agron Neza.

Gjykata federale e Uashingtonit dënoi në shkurt të këtij viti me 28 muaj burg “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë kohës që vinte në Shqipëri, përveç takimeve me kryeministrin Rama, zyrtari i lartë amerikan ka pasur edhe një takim me Rexh Byberin në Tropojë.

Kryebashkiaku i qytetit verior, e ka dekoruar Charles McGonigal më 23 shtator 2021 me titullin “Mirënjohja e Tropojës”.

Në fakt, nuk dihet ende shkaku i vërtetë i thirrjes së tij, por në shtator të vitit 2023, 300 banorë të Fierzës paditën Byberin, shefin e komisariatit Përparim Allmuça dhe pronarin e kompanisë “Byberi shpk”, Avni Byberi për shpërdorim detyre dhe favorizim me tenderët.

Padia erdhi pas protestave të vazhdueshme që banorët kanë bërë kundër gurores dhe fabrikës së bitumit në fshatin e tyre.

Në kallëzimin Penal depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 28 gusht 2023, thuhej se Rexh Byberi kishte dhënë leje për hapjen e gurores në zonë pyjore në kundërshtim me ligjin, si dhe duke favorizuar djalin e xhaxhait te tij, Avni Byberi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë