Lajme

U denoncua i zhdukur 2 javë më parë, i mituri gjendet i mbytur në Shkozë

5-vjeçari Klodian Hashimi, i denoncuar i zhdukur që prej dy javësh nga familjarët e tij u gjet i pajetë këtë të diel pak metra larg banesës së tij, në zonën e Shkozës në Tiranë.

Trupi i të miturit është gjetur rreth mesditës në një kanal kullues pranë banesave sociale ngjitur me lumin e Lanës, aty ku banon familja e tij.

Policia njofton se ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave, ndërkohë që paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale, ku 5-vjeçari ka kaluar rrjetën e vendosur që ndan zonën e banuar nga lumi dhe ka rënë aksidentalisht në ujë, duke u mbytur.

Familjarë të të miturit fajësojnë strukturat shtetërore. Ata thonë se në e gjithë barriera që është ngritur për të penguar fëmijët që t’i afrohen lumit është e dëmtuar dhe kërkojnë që në vend të telave të ngrihet një mur.

Në zonën në fjalë vazhdojnë punimet për rehabilitimin e bregut të Lumit të Lanës dhe për shkak të punimeve në shumë vende mungojnë barrierat mbrojtëse, sidomos për fëmijët e vegjël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë