Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një grant prej rreth 800 mijë dollarësh për restaurimin e monumenteve kulturore, të dëmtuara nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit 2019, në Krujë, Durrës dhe Prezë.
Lajmin e ka bërë me dije ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila mes të tjerash është shprehur se “Ky projekt i ruajtjes së kulturës tregon vlerën që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë trashëgimisë së pasur të Shqipërisë dhe shpresa ime është që puna e përfunduar do të qëndrojë si një dëshmi për miqësinë e thellë midis dy popujve tanë”.
Ambasadorja Kim ishte sot në qytetin e Krujës, me ministren e Kulturës, Elva Margariti, ku nënshkroi një grant prej pothuajse 800,000 dollarë të Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore, për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës, dhe Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Që nga krijimi i tij në vitin 2001, Fondi i Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore ka ofruar mbështetje financiare për më shumë se 1,000 projekte në mbi 125 vende të botës. Këto angazhime tregojnë se sa thellë Shteteve të Bashkuara respektojnë trashëgiminë kulturore të vendeve të tjera.
Në Shqipëri, ne kemi punuar në projekte të shumta përmes këtij fondi, përfshirë restaurimin e Galerisë Nr. 3 të Kalasë në Gjirokastër, dokumentacionin e muzikës Iso-Polifonike shqiptare, si dhe ruajtjen e Kullës së Sahatit në Tiranë. Sot, po nënshkruajmë një grant prej afro 800,000 dollarësh për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës, dhe Prezë. Jam e kënaqur të vërej se ky është projekti ynë më i madh i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore në Shqipëri deri më sot”, është shprehur ambasadorja Yuri Kim.
Ambasadorja ndër të tjera tha se “ky projekt dyvjeçar do të fillojë punën në Kullën C në Durrës, dhe më pas do të vazhdojë me punën në Teqenë e Dollmës këtu në Krujë, në Kalanë mesjetare të Prezës dhe në Kullën e Sahatit të Kështjellës së Krujës”.
Për Krujën si shtëpinë e Skënderbeut, ambasadorja Kim solli në vëmendje edhe vargjet e poetit amerikan Henry Wadsworth Longfellow që dikur shkroi për kthimin e Skënderbeut në Krujë:
Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u-gdhi e n’agullim
Pa kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek,
Tek u-lint e tek u-rrit,
Yll mëngjezi mi të ndrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




