Lajme

U dëmtua në protestë, Ina Nuka sërish në Turqi për t’u operuar

Me sa duket plaga nuk është shëruar akoma, por ajo mbetet sërish e fortë dhe nuk dorëzohet. Policja Ina Nuka do të niset për herë të dytë në Turqi muajin që vjen, pas dëmtimit në njërën dorë gjatë protestave të banorëve të “Astirit”, ku një kapsollë i plasi në trup para Parlamentit në 22 nëntor 2018.

Pas një takimi të zhvilluar me ambasadorin Yoruk, ku shoqërohej nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ajo theksoi se kjo ngjarje e ka bërë më të fortë dhe se nuk do tërhiqet nga detyra e punonjësit të policisë.

“Kjo është një nga ngjarjet që më ka bërë akoma më të fortë për tu rikthyer dhe pse çfarë më rrethon apo njerëzit që mundohen të më tregojnë që më duan shumë dhe më thonë që nuk do të kthehesh, por kjo është e pamundur. Do të kthehem dhe shumë më mirë se ç’isha”, – u shpreh 26-vjeçarja.

Nuka do të niset në muajin shkurt drejt Stambollit për t’iu nënshtruar operacionit të dytë, ndërkohë që gjatë kësaj kohe është mjekuar në Spitalin e Traumës, duke kryer fizioterapi çdo ditë.

Në 26 dhjetor 2018, qeveria vendosi që Ina Nuka të marrë nga shteti 12 paga mujore, që përllogariten në rreth 8 milionë lekë të vjetra, të cilat do të përballohen nga fondi rezervë i shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë