Politike

U bë pjesë e Federatës, por a synon kryeministrin? Meta: Do drejtoj PL, emri për qeverinë duhet gjithëpërfshirës  

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, komentoi bashkimin e pjesshëm të opozitës në Federatë, ku mungonte firma e Dash Shehit, Shpetim Idrizit dhe Lulzim Bashës. Meta tha se i është bashkuar kësaj iniciative pasi është në përputhje me objektivat e Partisë së Lirisë

“Mua më është propozuar një dokument si kreu i PL, nga ana e PD dhe ai dokument që është bërë publik është shumë parimor dhe në përputhje me qëllimet dhe objektivat e PL. Se kam parë kush e ka firmosur por e kam firmosur sikurse do firmosja çdo gjë që është pozitive që i shërben përpjekjeve të përbashkëta për të rikthyer vendin në shinat kushtetuese, për të pasur demokraci funksionale”, tha Meta.

I pyetur nëse opozita ka në tryezë një emër kandidat për kryeministër dhe se a mund të jetë ku Ilir Meta, ai tha se emri i tij do udhëheqë Partinë e Lirisë.

“Sa i takon emrit tim besoj se emri im do udhëheqë PL, e cila do jetë jo vetëm një ndër tre forcat kryesore politike, por do jetë faktor kryesor dhe katalizator për ndryshimin në vend. Preferojmë një kandidaturë sa më gjithëpërfshirëse”, tha Meta.

Ai nuk përjashtoi të bëhet pjesë edhe Lulzim Basha

“Unë nuk jam këtu për të përjashtuar askënd që ka vullnet, që ka dëshirë dhe që është i lirë të vendoset përballë narkoqeverisë dhe narkoshtetit. Isha sot këtu me ju për të ndarë një shqetësim madhor për rreth 800 mijë pensionistë që jetojnë në kushte të mjeruara. Çdo njeri që ka dëshirë të përballet me regjimin është i mirëpritur në atë tryezë. Ju mund të pyesni iniciatorët, se s’kam qenë iniciator, pavarësisht se jam për bashkimin e gjithë forcave të vërteta opozitare në një përpjekje për largimin e një regjimi mafioz”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë