Gazeta Si – Eduart Kësolla, i arrestuar nga policia një ditë më parë si personi i dyshuar për vrasjen e Prek Tonajt në Shkodër, ka mbajtur një qëndrim mohues para grupit hetimor.
Ai ka deklaruar se nuk ka qenë atë natë në vendin e ngjarjes, ndërkohë prova që mendohet se ka bindur hetuesit se 30-vjeçari është autori i dyshuar i vrasjes, janë gjurmët e barutit në duar.
Dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me konfliktet e hasmërisë mes dy fiseve. Policia dyshon se Eduart Kësolla vrau Prekë Tonajn për gjakmarrje.
Historia nis dekada më parë, kur Pal Kësolla, babai i Eduart Kësollas, ka vrarë Nikollë Tonajn në periudhën e sistemit komunist në burg, ndërsa pas viteve ’90, Kësolla u vra nga një anëtar i fisit Tonaj.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e Eduart Kësollës, nuk janë gjetur armë zjarri, por dyshimet se ai e a kryer vrasjen e Tonajt për gjakmarrje janë të forta.
Eduart Kësolla ka lindur në Nicaj, Shosh dhe është banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
47-vjeçari Pek Tonaj, u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e të dielës në fshatin Grudë e Re në Shkodër brenda një lokali.
Tonaj prej disa vitesh ishte përgjegjës i Ujësjellës Kanalizime për Njësinë Vendore “Rrethina”, ndërsa nuk fshihej nga frika e gjakmarrjes.
Viktima ishte person me precedentë, pasi ishte arrestuar 11 vite më parë për tentativë vrasje së bashku me babain e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




