Ka ndodhur

U arrestua me bujë gjatë operacionit të RENEA-s në Vlorë, lirohet Edison Begaj

Edison Begaj është liruar 4 ditë pas arrestimit me shumë bujë nga forcat RENEA në lokalin e tij në Vlorë për armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Vlorës ka ndryshuar këtë të premte masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për 38-vjeçarin, i cili i shpëtoi dy javë më parë një atentat në banesën e tij.

Seanca gjyqësore u zhvillua në spitalin rajonal të Vlorës, ku Begaj gjendet i shtruar për shkak se ka plagë në këmbë dhe nuk mund të ecte.

Ai u arrestua të hënën në biznesin e tij dhe familjarët pretenduan se mbante armë zjarri me vete për shkak të pasigurisë për jetën. Në 29 maj, në hyrje të shtëpisë së tij, Begajt iu bë një atentat nga një person i veshur me uniformë policie.

Ai u plagos me 9 plumba në gjymtyrët e poshtme në prani të fëmijëve të cilët ndodheshin në makinë në momentin e sulmit.

Begaj rezulton të jetë i dënuar në vitin 2010 me 7.6 vite burg për trafik droge, ndërsa edhe më vonë është kapur me lëndë narkotike në Vlorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë