Gazeta Si - Ish-këshilltari i jashtëm i kryeministrit Edi Rama, Dorian Duçka është paraqitur pasditen e kësaj të enjteje pranë ambienteve të SPAK-ut. Ende nuk dihen arsyet se përse Duçka është thirrur nga Prokuroria e Posaçme.
Emri i Duçkës u përmend gjerësisht lidhur me çështjen e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal dhe lidhjeve të tij me Shqipërinë.
Paraqitja vjen pasi McGonigal pranoi fajësinë për fshehjen e faktit se kishte marrë 225,000 dollarë shqiptaro-amerikanit Agron Nezaj, i cili u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.
Pranimi i fajësisë nga ish-zyrtari i lartë të FBI-së u bë në një gjykatë federale në Uashington, në bazë të një marrëveshje mes akuzës dhe avokatëve të Charles McGonigal, përmes së cilës ai pranoi fajësinë për akuzën e parë për fshehje provash materiale dhe prokurorët rrëzuan tetë akuzat e tjera në akt-padi.
McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kreut të qeverisë, Dorian Duçka.
Gjatë seancës zoti McGonigal pranoi se të gjitha lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri, i kishte zhvilluar përmes mikut të tij Agron Nezaj, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.
Dorian Duçka është “personi B” që përmendet në dosjen e McGonigal dhe thuhej se operonte si këshilltar zyrtar i kryeministrit.
Edi Rama, në fjalën e tij gjatë mocionit me debat në Parlament më 2 mars 2023 për lidhjet e tij me ish zyrtarin e arrestuar të FBI, pranoi se Dorian Duçka ishte këshilltari tij i jashtëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.