Nga Gazeta Si- Protesta e nëntë e opozitës para bashkisë Tiranë është mbyllur për më pak se 1 orë nga ku është kërkuar sërish dorëheqja e kryetarit Erion Veliaj për dosjen 5D. Në protestë nuk munguan që prej nisjes molotovët, flakadanët dhe vezët drejt bashkisë.











Ndërkohë gjatë gjithë kohës policia ka bërë thirrje që të ruajnë qetësinë dhe të mos gjuajnë drejt bashkisë.
Gjatë hedhjes së molotovëve kishte dhe një incident.
Në një moment një bombë molotov e hedhur nga një militant ka përfunduar jo drejt godinës së bashkisë por në afërsi të kordonit të policisë ku ndodheshin qytetarë, operatorë dhe gazetarë.
Të gjithë personat që ishin afër u larguan me shpejtësi.
Këto ishin momente paniku pasi rrezikoi seriozisht jetën e njerëzve por dhe gazetarëve e operatorëve që ndodheshin aty.



Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, në fjalën e tij para protestuesve u shpreh se kryeministri duhet të detyrojë kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj të dalë të enjten para Këshillit Bashkiak për të dhënë llogari.
Ai shtoi se vetëm atëherë kreu i qeverisë mund të flasë për luftën ndaj korrupsionit, referuar fjalës së Ramës në Kuvend ku u diskutua mbi rezolutën për luftën kundër korrupsionit.

“Rama dje fliste për korrupsionin se si donte ai ta luftonte atë, e ka një provë të parë për ta dhënë pasnesër, ku është thirrur mbledhja mujore e këshillit bashkiak. A do ketë fuqi të sjellë Veliajn para këshilltarëve të japë llogari? A do Rama të luftojë korrupsionin? Veliaj refuzon të bëjë transparencë. A ka fuqi ta detyrojë të vijë në Këshill e të japë shpjegim pse milionat që iu morën shkollave e çerdheve dhe u çuan te inceneratori inekzistent? Nëse e sjell pasnesër atëherë mund të flasë se si luftohet korrupsioni”, tha Teliti i cili shtoi se të gjithë janë një grup i strukturuar që po tradhtojnë Shqipërinë e po vjedhin pronën publike.
Ndërkohë, Belind Këllici, anëtar i kryesisë tha se do vijojnë me protestat edhe në javët në vazhdim, derisa Veliaj të japë dorëheqje.
“Do jemi këtu, çdo javë derisa Veliaj të japë dorëheqjen. Ndërkohë që ato presin të pakësohemi, ne do të jemi më shumë”, tha Këllici.
Opozita në protestë, Bashkia zbukurohet për 1 Qershorin
Rithemelimi, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Teatrin mbajnë sot protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës ku kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, që sipas tyre është i përfshirë në korrupsion.
Policia, për shkak të tensioneve që kanë shoqëruar protestat e kaluara, ka marrë masa sigurie duke shtuar numrin e efektivëve rreth godinës së bashkisë.



Në protesta nuk kanë munguar as hedhjet e molotovit, vezëve, frutave dhe perimeve.
Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë protestuesit kanë përballë një banderolë të madhe kushtuar festës së 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




