Menaxhim

TXEX, XUEXA dhe GROKREXDUU/ AMF tregon platformat që mashtrojnë shqiptarët me investimet në kripto

Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF ka treguar se përveç platformës TXEX, që ka mashtruar investitorët shqiptarë në kriptomonedha janë edhe dy të tjera me rrezik të ngjashëm, XUEXA dhe GROKREXDUU.

Këto subjekte nuk janë të licencuara apo të autorizuara nga AMF për të ofruar shërbime investimi Shqipëri, thjotë AMF.

Nga informacionet e siguruara rezulton se këto platforma paraqiten si aplikacione investimi që u ofrojnë përdoruesve të ashtuquajtura “sinjale blerjeje” për kripto-asete, duke krijuar përshtypjen tek investitorët se mund te ndikojnë mbi çmimet dhe të realizojnë përfitime. Ky mekanizëm në tërësinë e tij është fiktiv dhe nuk pasqyron veprime reale të kryera. Kjo veprimtari bie ndesh me legjislacionin në fuqi dhe përbën vepër mashtruese që cënon drejtpërdrejt interesat e investitorëve shqiptarë.

AMF, deri më sot, nuk ka licencuar apo autorizuar asnjë subjekt për të operuar në këto tregje dhe rikujton se listën e subjekteve të licencuara, qytetarët mund ta verifikojnë lehtësisht në regjistrin e të licencuarve, në faqen e AMF-së.

Reagimi i parë për TXEX erdhi një ditë më parë nga Autoriteti i Sigurisë Kombëtare pas disa denoncimeve publike se shumë qytetarë kishin humbur paratë e tyre, të mashtruar nga premtimi fiktiv i fitimit nëpërmjet investimit në kriptomonedha.

Deputeti socialist, Erion Braçe tha se janë të apktën 1.000 qytetarë që janë mashtruar nga ajo që ai e quan një “skemë piramidale digjitale”. Deputeti i ka bërë thirrje distributorëve të internetit të bllokojnë aksesin në platformat mashtruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë