Jete & Stil

Turqia pushton Paraguain…me emra fëmijësh

Dikur  ishin shqiptarët që i quajtën fëmijët Diego, Paloma, Stelina, Santiago, Alehandro, Perla, Rubi, Gaviota...Nëse kërkon në faqen e Institutit të Statistikave, ekzistojnë  64 vajza me emrin Paloma dhe 805 me emrin Stelina, një telenovelë e hershme e transmetuar në kanalin TeleNorba, në fund të viteve ’90.

Por me ardhjen e epokës së serialeve turke, shqiptarët  iu përshtatën trendit të ri, duke u vënë fëmijëve emrat e personazheve, kryesisht me origjinë myslimane, të cilat regjimi i dikurshëm u përpoq t’i ndalonte duke i zëvendësuar me emra shqip, ose ata më besnikët e Partisë me emra si Ideal, Vigjilente, Molotov, e të tjerë.

Pas suksesit që pati seriali “Ezel” në audiencat shqiptare, 21 djem mbajnë këtë emër sot, por edhe ndonjë Ejshan, si protagonistja femër apo Xhansu, si emri i aktores që interpreton në këtë serial.

Dilara dhe Xhansu, në "Fate të Kryqëzuara"

Tashmë që perandoria e serialeve turke është shtrirë në terrene latine, të Amerikës së largët, në Paraguai prindërit po u vënë fëmijëve emra sipas personazheve të parapëlqyer.Në të dhënat e Regjistrit të Gjendjes Civile në Paraguai vihen re emra si Shehrazad, Kerim, Kemal, Devran dhe Mustafa.Duke iu drejtuar qytetarëve të saj, administrata paraguaiane thotë “Zgjidhni emrin e parapëlqyer që nuk është fyes apo tallës dhe mos harroni ta regjistroni fëmijën në regjistrin civil”.

Administrata jep shembuj si “Onur Juan Jose”   “Sherazade Verenice,” “Wilson Kemal,” dhe  “Salvano Mustafa”, sesi të përdoren emrat turk me ata vendas.Ndërsa administrata paraguaiane i ka bërë këto ugjerime në tëitter, disa pëdoruesve u janë dukur propozimeve të lezetsheme, të tjerë kanë fajësuar serialet turke.

Onur dhe Shehrazad, personazhet e serialit "Njëmijë e një net"

Edhe një tjetër vend latin, Kili, është shumë i dhënë pas telenovelave turke e  po ashtu prindërit kanë pagëzuar fëmijët me emra të personazheve.Ky popullaritet i seialeve turke jovetëm që ka rritur interesin në tregjet e jashtme dhe ka kontribuar në promovimin e imazhit të vedit, por luan rol efektiv në rritjen e shërbimeve turke dhe eksportet. Sipas përllogaritjeve, eksportete e serialeve turke kapën shifrën e 500 milionë dollarëve vitin e kaluar.

Elif, personazhi i serialit "Diamante dhe Dashuri"

Edhe në Shqipëri, përveç 21 Ezelëve, ka 163 vajza me emrin Elif  nga seriali “Diamante dhe Dashuri”, si edhe 9 djem me këtë emër. 37 persona quhen Dilara, sipas personazhit tek “Fate të Kryqëzuara” e  24 Xhansu, nga po e njëjta telenovelë. Të tjerë emra të frymëzuar nga telenovelat turke janë Alper me 13 të tillë, Ender 34 persona, Esra, 184 individë, 128  Menekshe të frymëzuar nga seriale “Menekshe dhe Halil”, si edhe 14 vajza me emrin Asli, si protagonistja e serialit “Dashuri bardhezi”, transmetuar dy vjet më parë.

Ezel, personazhi i serialit me të njëjtin emër

Por sipas të dhënave të INSTAT, emra që mbizotërojnë për 2019 janë Amelia me 71  vajza që tashmë po bëjnë vitin e parë të jetës dhe 61 djem me emrin Aron.Ndonëse vitet e fundit ka pasur një kthim tek emrat me rrënjë shqiptare apo deri edhe ilire, shqiptarët nuk u ikin prirjes për emra të huaj, ku ndër dhjetë më të përdorurit për vajza janë Amelia, Ajla, Aria, Leandra, Ambra, Klea, Melisa, Amaris, Reina.Tek djemtë shihet një ndikim nga emrat biblikë apo të krishterë si Noel, Aron, Joel, Mateo, por edhe emra si Roan, Amar, Alteo, Roel, Luis e Dion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë