Bota

Turqi / Tërmet 6.2 ballë në Stamboll, me epiqendër në Detin Marmara (video)

Gazeta Si – Pak pas mesditës së kësaj të mërkure, një tërmet me magnitudë 6.2 goditi Turqinë: epiqendra ishte në Detin Marmara, rreth 70 kilometra në perëndim të Stambollit, dhe hipoqendra në një thellësi prej 9 kilometrash. Për momentin nuk raportohet për dëme apo të lënduar.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, tërmeti u ndje në disa rajone të Turqisë. Si pasojë e lëkundjeve të forta, kanë qenë të shumtë banorët që kanë dalë nga banesat, ndërkohë që raportohet se vijojnë dridhjet e tokës.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, reagoi menjëherë pas lëkundjeve, duke shprehur solidaritetin e tij me qytetarët: “Po ndjekim nga afër zhvillimet”, tha ai në deklaratën e tij të parë publike për CNN Turk.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, bëri të ditur se inspektimet paraprake nuk kanë zbuluar dëme të dukshme në infrastrukturën kritike të vendit.

“Gjatë inspektimeve tona fillestare, nuk u gjet asnjë dëmtim apo situatë emergjente në autostradat, aeroportet, trenat dhe metrotë tona”, u shpreh ministri.

Lëkundjet u ndjenë edhe në kryeqytetin Ankara, duke shkaktuar shqetësim në mesin e qytetarëve që dolën menjëherë jashtë ndërtesave për të kërkuar siguri.

Kryetari i Bashkisë Metropolitane të Ankarasë, Mansur Yavaş, reagoi përmes rrjeteve sociale duke thënë: “Tërmeti me magnitudë 6.2 që ndodhi në Stamboll u ndje edhe në Ankara. I uroj të gjithë të prekurit nga tërmeti, veçanërisht qytetarët tanë në Stamboll”.

Edhe në qytetin Sakarya, qytetarët dolën me shpejtësi nga banesat dhe ambientet e punës sapo ndjenë lëkundjet. Paniku ishte i dukshëm, me shumë persona që tentuan të kontaktojnë familjarët përmes telefonit dhe pritën në zona të hapura nga frika e pasgoditjeve

Hera e fundit që një tërmet kaq i fortë goditi Turqinë ishte më 6 shkurt 2023, kur një tërmet me magnitudë 7.8 ballë i ndjekur nga një i dytë me magnitudë 7.5 në jug të vendit shkaktoi më shumë se 50,000 vdekje dhe shkatërroi ose dëmtoi qindra mijëra ndërtesa. Ai tërmet shkaktoi gjithashtu më shumë se 6,000 të vdekur në Sirinë fqinje veriore.

Në përditësim…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë