Bota

Turqi, arkitekti dhe inxhinierët e një hoteli që u shemb në tërmetin e 2023 dënohen me 70 vite burg

Gazeta Si – Një gjykatë turke ka dënuar pronarin dhe arkitektin e hotelit Grand Isias në Adiyaman, në Anadollin juglindor, me mbi 18 vjet burg, i cili u shemb gjatë tërmetit të 6 shkurtit 2023, duke shkaktuar vdekjen e 72 personave.

Pronari i hotelit Ahmet Bozkurt dhe arkitekti Erdem Yilmaz u dënuan të dy me 18 vjet e 5 muaj burg për “shkaktim të vdekjes dhe plagosjes së më shumë se një personi nga pakujdesia e vetëdijshme”, raporton TV shtetëror Trt.

Me mbi 17 vjet burg u dënua edhe djali i pronarit, mbi 16 vjet burg inxhinieri, ndërsa dy inxhinierë të tjerë u dënuan mbi 8 vjet.

Ndër 72 viktimat e hotelit Grand Isias në Adiyaman, 35 ishin shtetas qipriotë turq, kryesisht adoleshentë që mbërritën në Turqi për të marrë pjesë në një turne volejbolli.

Tërmeti i shkurtit 2023, me magnitudë 7.8 ballë, goditi një rajon të gjerë në Anadollin juglindor, ku vdiqën mbi 53 mijë njerëz, si dhe një pjesë të Sirisë veriperëndimore, ku viktimat e konfirmuara ishin më shumë se 6 mijë.

Në javët pas tërmetit, mbi 260 persona të përfshirë në ndërtimin e ndërtesave të shembura u arrestuan në Turqi.

Mes tyre, disa u kapën në përpjekje për të ikur jashtë vendit, si sipërmarrësi përgjegjës për ndërtimin e një pallati në Adana, shembja e të cilit shkaktoi vdekjen e 96 personave, i cili në shtator u dënua me 865 vjet burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë