Lajme

Turizmi në pandemi: Të gjithë duhet të kenë certifikatën “Strukturë e Kontrolluar”

Të gjithë strukturat akomoduese dhe sipërmarrjet e turizmit që do të duan të zhvillojnë sezonin turistik këtë vit pas urdhrit që do të mund të japë qeveria, do të duhet të pajisen me certifikatën “Strukturë e Kontrolluar”.

Kjo ështe një nismë e përbashkët që do të promovohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin, pastërtinë dhe standardet e higjienës publike dhe për t’i bërë ato norma praktikës së punës së përditshme.

Sipas dokumentdraftit, shenja e cilësisë “Strukturë e Kontrolluar” kërkon që sipërmarrjet të angazhohen dhe të mbajnë protokolle të qartë për listat e kontrollit sanitar dhe të higjenës, që janë të domosdoshme për të mbrotjur shëendetin e vizitorëve dhe stafit.

Aplikimi për marrjen e çertifikatës “Strukturë e Kontrolluar”

Për të vijuar operimin e aktivitetit brenda standarteve dhe normave kombëtare, ministritë e linjës sugjerojnë që të ndiqet procedura në vijim:

Sipërmarrjet e Aktiviteteve Turistike, mund të çertifikohen si “Strukturë e Kontrolluar” vetëm pas një vlerësimi zyrtar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), bazuar në një listë kontrolli fizik të kërkesave për standardet sanitare dhe higjenës.

Detyrimet e Strukturave Akomoduese

Për të vijuar operimin e aktivitetit brenda standarteve dhe normave kombëtare, sugjerohet që të gjitha sipërmarrjet e aktiviteteve turistike të adaptojnë detyrimet për marrjen e çertifikatës “Strukturë e Kontrolluar”, si vijon:

1. Emëroni një Koordinator anti-Covid19 për të koordinuar dhe zbatuar masat, sigurimin dhe respektimin e listës së kontrollit sipas Aneksit #4.

2. Vendosni protokolle të matjes së temperaturës për të gjithë vizitorët në zona hyrëse, si dhe verifikoni cdo ditë dhe me kujdes simptomat e frymëmarrjes së punonjësve.

3. Sigurohuni që ata që duhet të jenë në kushte karantine të mos lëvizin për asnjë moment nga banesat apo dhomat e tyre dhe merrni masa për monitorimin e tyre të vazhdueshëm.

4. Zbatoni masat e rekomanduara për të siguruar distancat fizike për vizitorët.

5. Rrisni frekuencën e dezinfektimit për të gjitha objektet e zakonshme të përdorimit që mund të jenë në kontakt me shumë persona, si dhe siguroni që stafi të respektojë dhe mbajë higjenën e mirë personale.

6. Kontrolloni dhe testoni vazhdimisht procedurat për të menaxhuar raste të dyshuara të personave që mund të jenë infektuar nga Covid19.

7. Sigurohuni që cdo aktivitet monitorues, pastrimi, raportimi të ketë dokumentacionin dhe evidencat përkatëse, në mënyrë që të vihen në dispozicion të autoriteteve sa herë që mund të kërkohen.

Për këtë qëllim duhet të komunikoni në adresën elektronike: [email protected]

Çfarë duhet të bëj?

Duhet të merrni listën e kontrollit dhe të sigurohuni që kërkesat janë përmbushur.

Mandej, kontaktoni agjencinë përkatëse / vlerësuesin e caktuar për të rregulluar vlerësimin kur është gati. Agjencia mund të japë rekomandime shtesë për të aplikuar masat anti-Covid19 në varësi të llojit të aktivitetit dhe rrezikshmërisë së infektimit.

Kur të merrni certifikatën “Strukturë e Kontrolluar” duhet të vendosni shenjat dalluese në hyrje të ambjenteve dhe në recepsion, në vende të dukshme, për të siguruar vizitorët rreth masave që keni ndërmarrë për të zbatuar këtë protokoll.

Nëse AKM vlerëson se nuk i keni përmbushur ende kërkesat, do tju dorëzojë një listë me masat që duhet të ndërmerrni për të siguruar ambjentet, si dhe do tju këshillojë për cdo paqartësi që mund të keni.

Logo “Strukturë e Kontrolluar” mund të vendoset në vende të dukshme, vetëm pas marrjes së çertifikatës përkatëse nga institucioni përgjegjës.

Vendosja e kësaj logoje pa u çertifikuar zyrtarisht, përbën shkelje dhe ndaj saj do të merren masa të menjëhershme administrative, deri në pezullimin e aktivitetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë