Lëvizja ende e kufizuar në Shqipëri dhe moshapja e kufijve i bën ata që merren me turizëm pesimist në afatshkurtër dhe perspektivë.
Burime të gazetës “Si” bëjnë me dije se lëvizjet me Italinë do ti çelë “Air Albania” në qershor, por “po nuk pamë të hapen kufijtë, ti kthehemi normalitetit, nuk besoj se turizmi do të funksionojë”- thotë Besnik Vathi nga ATHS.

Biznesi i tij është i fokusuar në turizmin me jashtë, por sigurisht që ai është partizan i turizmit të brendshëm, që siç thotë, nuk i është mohuar kujt ndonjëherë.
Por sipas tij, nuk është turizëm të shkosh në Durës vajtje-ardhje nga Tirana.
Turizmi i brendshëm, sqaron z. Vathi, nëse e shohim si opsion në këtë kohë krize, mbështet tek hotelet, “sepse tek ne turizmi i brendshëm është i drejpërdrejtë, nuk ke nevojë për paketa, ashtu siç rezervon jashtë. Por duke marrë parasysh krizën, nuk di se sa struktura hoteliere do të zgjedhin të hapen për një kohë të shkurtër një mujore, duke menduar që ne sot kur po flasim, nuk mund të shkojmë as në Durrës. Fitime kanë hotelet në Dhërmi po, sepse çmimet janë të larta, por për shumë arsye, strukturat e tjera nuk mund ti rrisin”- thotë Z. Vathi.
Për të turizmi i brendshëm është i rëndësishëm, por ai që të jep më shumë para sipas tij, është ai i jashtëm, pra duhet “tregtia e jashtme, “import-eksporti” në turizëm për ekonominë e të gjithëve sepse nuk i zëvendëson dot të ardhurat turizmi i brendshëm”.
Për të nuk ka optimizëm për rimëkëmbjen e turizmit derisa të kthehet normaliteti i plotë, sepse nuk mund të flasësh për normalitet dhe rimëkëmbje sipas tij me avionët gjysmë bosh, anijet gjysmë bosh dhe autobusët gjysmë bosh, nëse do të hapen kufijtë.
Por jo të gjithë e shohin me pesimizëm krizën, ka nga ata që përpiqen të shohin oportunitetet pas gjithë këtij bllokimi.
Gladiola Dona themeluese e shkollës profesionale “Hospitality and Tourism Accademy” ku trajnon dhjetera të rinj dhe jo vetëm për të gjitha shërbimet e fushës që nga menaxhimi, recepsioni, hoteleria, restoranti, etj, mendon se në këto kushte, turizmi i brendshëm duhet parë si një oportunitet për tu zhvilluar me perspektivë dhe mbi të gjitha për të rritur cilësinë, jo sepse është lirë.

Ajo beson se këtë vit do të ketë shumë turizëm të brendshëm dhe njerëzit ajo nuk i percepton të frikësuar, “thjesht janë të çorinetuar”- thotë ajo.
“Pasiguri. Ndihet një lloj pasigurie për të kapur netët e shitura në mënyrë që sezoni të shpëtojë disi, pra të mos ketë shifra negative. Në fakt kjo pasiguri ka vënë shumë sipërmarrës në pozita pune. Nësë në sezonin e kaluar kishte një pritshmëri të caktuar, këtë vit sipërmarrësit ndihen në një konkurencë më të madhe për të kapur të njëjtët segmentë tregu, klientët vendas dhe një pjesë të vendeve fqinje, numër më i kufizuar ky i fundit. Unë besoj fort që krizat nxjerrin në pah ata më profesionistët qënë këtë rast, jo vetëm që i rezitojnë krizës, por ata fuqizohen edhe më shumë”- shprehet Gladiola Dona.
Për të bizneset e pasigurta, të ngurta që nuk guxojnë apo ndihen fleksibël t’i përshtaten situatës, do të dalin nga tregu. Nga pikëpamja konsumatore, ajo mendon që do shijohet një sezon shumë i mirë në vend këtë vit, ku sipërmarrësit e turizmit kanë mundësinë të “habisin”, sipas saj, atë segment klientësh shqiptarë, që në kushte të tjera do t’i kishin kaluar pushimet jashtë. “Ky segment nuk është i vogel, është pothuaj i barabartë me turistët e huaj që vijnë në Shqipëri”.
Ajo vëren se, “për herë të parë në këto vitet e fundit, ka staf në treg. Çdo vit gjetja e stafit përbën një problem për bizneset e turizmit. Këtë vit duket sikur ka më shumë staf, pasi shumë biznese sezonale kanë vendosur të mos hapen”.
Sipas saj, rregullorja për operimin bizneseve të mikpritjes vjen me kosto shtesë psikologjike dhe materiale, me ulje të kapacitetit të çadrave dhe tavolinave.
“Sigurisht që sipërmarrësit nuk janë të lumtur për këtë fakt, por në këto momente më tepër është dëshira që të hapet sezoni me çdo kusht”- thotë ajo.
Ajo sugjeron që strukturat duhet të punojnë me buxhete ku një zë i rëndësishëm të jetë buxheti i kontigjencës, të operojnë në treg gjithmonë duke u përmirësuar e gjetur rrugë të reja, kanale e mënyra shitjeje të reja dhe duhet gjjthmonë të jenë inovatorë dhe të gatshëm të përmirësohen sepse tregu sipas saj është i paparashikueshëm.
Mbi të gjitha thotë Znj. Dona, sipërmarrësit duhet patjetër të bëjnë përpjekje për rritjen e cilësisë së shërbimit. Këtë vit, sqaron ajo, do të jetë më e lartë oferta se kërkesa.
“Meqë nuk ulim dot çmime se na është ulur kapaciteti, të paktën të diferencohemi me rritje të shërbimit. Nëse shumë hotele deri tani kanë operuar disi mirë sepse ka patur kerkesë të lartë gjatë sezonit, tani është koha të investojnë në trajnime e konsulenca. Shteti duhet të bëhet rregullator i rritjes së cilësisë. Mendoj që nuk duhet të mburremi me turizëm të lirë, por të mburremi me turizëm cilësor me standarde. Jo vetëm kategorizmi i strukturave akomoduese, por edhe stafi duhet të jetë i çertifikuar. Të ofrosh shërbim cilësor në mikpritje kërkon dije e specializime të stafit”- shprehet Dona.
Veçanërisht turizmi nga sektorët e ekonomisë si në një qerthull që nuk arrin dot ta shpërthejë prej më shumë se dy vitesh po përjeton goditje që nga kriza politike, tërmeti, pandemia dhe sërish kriza politike.
Për Besnik Vathin dhe Kliton Gerxhanin ngjarja e fundit ende nuk është e atyre përmasave që mund të konsiderohet se do të jetë ndikues në turizëm, por nëse vazhdon, do të jetë shkatërruese për sektorin.
Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




