Lajme

Turizmi me këmbët në allçi

Shpresa të pakta edhe për turizëm brenda vendit

“Taksa po, punë jo”.

Kjo ishte pankarta që mbizotëronte në protestën e sotme ( e enjte) përpara Ministrisë së Turizmit, e bashkëorganizuar nga 180 agjenci nga i gjithë vendi, pa ombrellën e ndonjë shoqate të mundshme.

Floria Marini, zotëruese e një agjenice në kryeqytet, e cila ka përfituar nga paketa e dytë bonusin prej 40 mijë lekësh thotë për gazetën “Si” se sektori më I goditur I ekonomisë së vendit dhe një një nga sektorët me kontributin më të madh direkt dhe indirekt, po përjeton krizën më të zezë ndonjëherë dhe nuk ka nevojë për lëmoshë.

“Bonusi i luftës është lëmoshë. Ne nuk kemi nevojë për lëmoshë. Duam mbështetje që të vazhdojmë aktivitetin. Ne jemi 90 % të falimentuar. Ne po vazhdojmë të paguajmë detyrimet, teksa nuk kemi asnjë arkëtim sepse kufijtë janë të mbyllur dhe ne shesim bileta ose paketa turistike për jashtë. Jemi hapur dhe nuk kemi punë. Ajo për të cilën na trokasin klientët në derë është rimbursimi i biletave që nuk kanë udhëtuar për shkak të mbylljes së kufijve. Shumë kompani nuk e kanë politikë rimbursimin, ne çfarë të bëjmë? Prandaj qeveria duhet të ndërhyjë”- thotë Floria Marini.

Sipas përfaqësuesëve të Agjencive dhe Tur Operatorëve në Protestë “Jemi të harruar nga shteti, por edhe shoqatat nuk na kanë përfaqësuar”.

Ata kërkojnë:

Ndihmë financiare urgjente: pagë minimale, për një periudhë  6-mujore deri 1 vjeçare

Të lobohet për hapjen e kujfive me Europën  ( shembuj Italia, Greqia,Kroacia,Kosova),

Heqjen e taksave lokale

Subvencionim të siguracioneve për një periudhë 6-mujore deri 1 vjeçare

Transparencë dhe  informacion të dedikuar për të gjithë  hallkat e zinxhirit të turizmit ( protokolle të qarta për zhvillimin e turizmit edhe për periudhën  pas Covid -19

Miratimi i Voucher-it ( shembull Kosova)

Floria Marini shpjegon se Voucheri është një dokument që i lëshohet klientit që e garanton se bileta që ka prerë dhe nuk e ka përdor për shkak të mbylljes së kufijve, do të jetë e hapur që të përdoret në rastin më të parë kur të çelen kufijtë.

Ajo thotë për gazetën “Si” se protestat paqësore do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave.

Masat kufizuese të lëvizjes jasshtë, a do të orientojnë shqiptarët drejt turizmit të brendshëm?

Shtyrja e hapjes së kufijve, vendimi i Gjermanisë për të mbyllur kufijtë deri më 31 gusht dhe propozimi i saj që e gjithë BE të shtyjë hapjen e kufijve në shtator, rindezi ndjesi të reja ndër aktorët e turizmit.

Ata që merren me turizmin e brendshëm u veshën me shpresë për rigjallërim të aktivitetit pas periudhës së vështirë, kurse ata që merren me turizmin e jashtëm, u pezmatuan dhe ndezën sinjalet e dëshpërimit për falimentim të mundshëm.

Panorama ravijëzohet tejet pesimiste.

Marjen Rama që zotëron një agjenci turistike diku në zonën e Ish Bllokut, thotë që është e pamundur që shqiptarët të orientohen tek agjencitë për të pyetur për pushime brenda vendit pa incentive nga ana e qeverisë, “Kështu që ne vazhdojmë të jemi të papunë, edhe pse jemi hapur dhe paguajmë detyrimet”

Ai vazhdon të shpjegojë se “Situata nuk është pozitive. Për të pushuar jashtë interesohen disa syresh që kanë gjithmonë para. Personi me të cilin fola në telefon pak më parë mbylli një hotel të shtrenjtë për në Kroaci. Por janë të rrallë”- më thotë Marjen Rama pasi mbyll telefonin me klientin.

Duke vijuar më tej bisedën, më tregon se “Për stafin kemi marrë vetëm një bonus lufte 40 mijë lekë, teksa ishim 5 veta në staf. Për dy muaj kemi qenë në zyrë dy persona pavarësisht se nuk kishim dhe vazhdojmë të mos kemi punë. Vetëm punë administrative. I zoti i objektit e ka kuptuar situatën dhe na ka toleruar  përgjysmuar qiranë, të cilën do të nisim ta paguajmë të plotë tani në qershor. Teksa vazhdojmë të mos arkëtojmë dhe na është shtuar frika dhe pasiguria në lidhje me riçeljen e kufijve pas deklarimeve të Gjermanisë. Ne kemi përgatitur paketa për Greqi dhe rajonin, por nuk ka sinjale positive”.

Besnik Vathi i ATHS pohon se njerëzit shohin ofertat vetëm në rrjetet sociale.

“I pëlqejnë, u bëjnë like dhe kaq. Nuk kanë arritur ende tu shfaqet dëshira për të pyetur në telefon apo për të ardhur në agjenci. Situatën e shoh shumë të errët, asnjë dritë në fund të tunelit. Ka paqartësi, pasiguri dhe frikë mos mbyllemi sërish, prandaj nuk guxon njeri të pyesë dhe rezervojë pushime sepse kush do tua kthejë lekët mbrapsht?’- shpjegon Vathi për gazetën “Si”.

Në këto kushte shpresohet që shqiptarët këtë vit të bëjnë turizëm #madeinalbania.

Por, jo. Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata Shqiptare e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike) pohon se gjithçka është e paqartë.

“Do Zoti kemi edhe turizëm fundjave”- thotë Gërxhani për “Si”.

Kurse Fatos Cerenishti i Fafa Resort konfirmon se me të dhënat aktuale, nuk ka asnjë shpresë për turizëm të gjallë këtë kohë çfarë ka mbetur nga sezoni i cunguar.

Fafa Resort ka 350 dhoma dhe këto fundjava kur njerëzit kanë nisur të frekuentojnë disi bregdetin, Cerenishti thotë se nuk mbushen më shumë se 10 dhoma.

“Unë nuk besoj se njerëzit kanë frikë nga virusi i ri sepse informacionet që gjallojnë janë se plazhi, uji, dielli, natyra të bëjnë mirë për shëndetin. Unë mendoj se arsyeja është pamundësia financiare dhe mungesa e sigurisë për të ardhmen. Edhe ata që vijnë në hotel në fundjavë, nuk shpenzojnë edhe pse çmimet i kemi zbritur me 20-30%”- thotë Cerenishti për “Si”.

Ai bën një pyetje reteorike “Si mund të pres një sezon të mbarë kur në fundjavë punoj vetëm me 2 % kapacitet?”

Cerenishti mendon se nëse qeveria do të vendosë të lehtësojë shqiptarët siç ka bërë Italia dhe disa vende të rajonit duke rimbursuar çdo paketë pushimesh brenda vendit 20-30 %, do t’I nxiste shqiptarët dhe do ti bënte të ndjeheshin më të sigurt për të bërë pushime.

Ai thotë se Durrësi ka një kapacitet të jashtëzakonshëm për të pritur pushues, por pak ose aspak shpresë për të patur një sezon turistik këtë vit.

Edhe Anita që zotëron një strukturë akomodimi në Livadh shprehet me pesimizëm për këtë sezon.

“Kemi shumë pak rezervime, nga klientët e përvitshëm. Por edhe ata nuk kanë rezervuar të gjithë. Disa për arsye ekonomike, kanë mbetur të papunë, të tjerët nuk dinë se do të kenë leje apo jo dhe kur do të kenë. Ne kemi ulur edhe çmimet krahasimisht me vitin e kaluar në 10%, por kjo nuk ka ndikuar fare tek rezervimet”- thotë Anita.

Kurse në Vlorë shfaqen turistët nga Kosova, që ende nuk dihet nëse do të jenë në një farë kuptimi shpëtuesit e sezonit.

Kërkese ka dhe më tepër nga Kosova por edhe Shqiptarë që jetojën jashtë. Të huaj një numër i vogël, kryesisht Italian. Problemi qëndron që asgjë nuk është e qartë. Se kur do hapen dhe cilat do jenë masat, ndaj vetëm pyesin. Rezervimet janë të rralla me parapagesë. Sot faktikisht pash shumë targa të Kosovës dhe më bëri përshtypje. Ndërsa Tirana kuptohet, preferon pjesën e Dhërmiut dhe kryesisht fundjavat kanë lëvizur”, thotë Migen Xhelo nga Travel Club Albania në Vlorë

A do të ketë turizëm kulturor?

Gjysma e vitit kur zakonisht zhvillohet turizmi kulturor nga marsi në fundqershor u dogj për këtë vit.

Por a ka shpresë që në muajin shtator nëse rihapen kufijtë, turistët e huaj kuriozë për Shqipërinë të bëjnë gati valixhet dhe të vizitojnë vendin?

Rexhep Kasmi kreu i shoqatës ATOA, i cili është i fokusuar në Turizmin Kulturor nuk është optimist.

Ai thotë se sezoni i plazhit do të jetë një test për turizmin kulturor.

“Teksa turistët e plazhit janë të rinj dhe familje që e zhvillojnë plazhin për arsye argëtimi dhe shëndetësore, turistët kulturorë janë të moshës mbi 70 vjeç, rrallë janë 60 e 65 vjeç. Kategoria e turistëve kulturorë janë kuriozë për vende si Shqipëria. Kjo është arsyeja që udhëtojnë, as për argëtim, as për shëndet. Duke qenë se janë kategoria më e riskuar nga koronavirusi, ata nuk e kanë me domosdo të vizitojnë Shqipërinë nëse vendi vazhdon të mbetet i infektuar apo me masa shtrënguese në lëvizje. E shtyjnë udhëtimin për herë tjetër. Prandaj them që sezoni i plazhit do të jetë një test për turizmin kulturor në shtator. Nëse masat do të lehtësohen dhe do të ulen infeksionet, do të kemi shpresë” – shpjegon për “Si” Rexhep Kasmi.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë