Interesi për Shqipërinë turistike është shpërfaqur në të gjitha dimensionet këtë vit duke nisur nga turizmi i aventurës tek ai kulturor dhe i rërës dhe detit.
Rritja e shpejtë e numrit të vizitorëve të huaj, ku në 7 muaj sipas INSTAT 5.2 milionë shtetas hynë në territorin tonë, parasheh një rekord historik deri në fund të vitit. Rrjedhimisht një shifër e tillë do të thotë edhe më shumë vizitorë në institucionet e kulturës në vend.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit tregojnë për një rritje me 67% të turistëve në këto institucione në qershor 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Si 6-mujor, gjashtëmujori i parë i 2023 shënon një rritje totale me 53% të vizitorëve në insitucionet e kulturës krahasuar me të njëjtin 6-mujor të një viti më parë.
Por cilat janë në fakt Kalatë më të vizituara në vend, Parqet Kombëtare dhe ato Arekeologjike?
“Gjatë muajit Qershor 2023 numri i vizitorëve në institucionet e kulturës është rritur në 67% krahasuar me vitin 2022. Numrin më të madh të vizitorëve e ka Kalaja e Gjirokastrës , ndjekur nga Parku Kombëtar I Butrintit dhe Parku Arkeologjik i Shkodrës.
Më poshtë po japim tabelën e vizitueshmërisë së institucioneve të kulturës të krahasuar në dy vitet e fundit. Në lidhje me të ardhurat nga vizitorët në Institucionet Kulturore për këtë muaj rezulton që të jenë përfituar 98,181,240 Lek, vlerë kjo 62 % më shumë se të ardhurat e muajit Korrik të vitit 2022”thuhet në një përmbledhje të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që ka për burim të dhënat e marra nga Ministria e Kulturës.
Konkretisht Kalanë e Gjirokastrës në 6-mujorin e parë të vitit e kanë vizituar 50.6 mijë vizitorë më shumë se dyfish në raport me të njëjtën periudhë të 2022. I dyti në këtë kategori është Amfiteatri i Durrësit me 9 mijë vizitorë dhe një rritje me 64% në raport me 6-mujorin 2022.
E treta për nga numri i vizitorëve deri në qershor është Kalaja e Porto Palermos.
Lidhur me institucionet të kategorizuara si kala e monumente të tjera, Parku i Butrintit është ai që ka vëmendjen më të madhe.
Në janar-qershor të paktën 37.2 mijë turistë kanë vizituar këtë park ndërsa nga Parqet Arkeologjike në krye qëndron Parku Arkeologjike i Shkodrës me të paktën 53 mijë vizitorë apo 30% më shumë vizitorë në janar-qershor 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./monitor
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.