Nga Gazeta ‘SI’ – Muaji tetor 2025 ka shënuar një rritje të fortë të aktivitetit turistik në Shqipëri, sipas të dhënave të strukturave akomoduese.
Numri i vizitorëve gjithsej u rrit me 39.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në këtë rritje, vizitorët jo-rezidentë kontribuan dukshëm, me një shtim prej 55.4 %, ndërsa vizitorët rezidentë shënuan një rritje më të moderuar prej 5.8 %.
Net qëndrimet gjithsej u rritën me 17.4 %, ku ato të vizitorëve jo-rezidentë u rritën me 26%, ndërsa net qëndrimet nga vizitorët rezidentë shënuan një ulje të lehtë prej 3.1%. Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u regjistrua në zonat bregdetare (+73.6%) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+54.4 %), duke treguar një preferencë të qartë për destinacionet turistike kryesore të vendit.

Sa i përket origjinës së vizitorëve jo-rezidentë, pjesa më e madhe vjen nga rajoni dhe Europa. Kosova përbën 14% të totalit, Italia dhe Gjermania secila 13%, Franca 7% dhe Mbretëria e Bashkuar 5%. Për më tepër, 48% e vizitorëve janë nga vende të tjera, duke reflektuar një zgjerim të pritur të turizmit hyrës nga tregjet ndërkombëtare.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele në tetor 2025 arriti në 31.6%, krahasuar me 27.7 % në të njëjtin muaj të vitit 2024, një tregues i qartë i rritjes së kërkesës për akomodim dhe intensifikimit të sezonit turistik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




