Menaxhim

Turistët erdhën, por si t’i mbajmë edhe vitin tjetër? Ekspertët i sugjerojnë qeverisë disa masa urgjente

Nga Megi Iskurti – Turistët erdhën. I sollëm. Në njëmijë e një mënyra të ndryshme, me reklamë, promocion, konferenca, samite, artikuj me pagesë e pa pagesë, panaire kombëtare, ndërkombëtare e gjithçka tjetër.

A mund t’i mbajmë? Si do t’i mbajmë? Ku çalojmë?

Çfarë mund të bëjmë që tani që i kemi te dera për vitin tjetër? Dhe, nuk bëhet më fjalë vetëm për zgjidhje me investime që japin efekte disa vjet më vonë…

Janë këto disa nga pyetjet që ngre ekspertja e turizmit Flora Xhemani Baba e cila njësoj si tur-operatorët e tjerë evidenton një sërë masash që Shqipëria duhet të ndryshojë në mënyrë që t’i përgjigjet nivelit të sotëm të prurjeve.

“Pavarësisht pamjaftueshmërisë së kapaciteteve pritëse, ankesave të përgjithshme për nivelin e çmimeve nga turistët shqiptarë, për shërbim që çalon pothuajse në çdo sektor për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, duket qartë që nuk është sektori privat ai që i ka problemet më të mëdha”, deklaron Xhemani ndërsa evidenton disa “politika të shpejta” që do i jepnin një frymë tjetër turizmit në Shqipëri.

Sektori privat nuk është ai që ka problemet më të mëdha

Mungesë strukturash orientuese

Një ndër më shqetësueset është rregullimi i transportit publik dhe mungesa e informacionit turistik praktik lidhur me këtë sektor.

Në një mendje me Xhemanin është edhe Besnik Vathi, kryetari i tur-operatorëve shqiptarë.

“Nuk bëhet fjalë për dy ose tre masa që mbase i takojnë edhe qeverisjes lokale por duhet të merren nisma të tjera më të rëndësishme nga qeveria siç është rregullimi i transportit publik. Ai duhet të jetë i mirëorganizuar deri në detaje. Të ketë tabela me orare të përcaktuara, të shtohen linja ndërqytetase, tabela informuese se si mund të shkohet në atraksione të ndryshme turistike. Aktualisht ka një amulli totale në këtë aspekt. Turistët zvarriten sa andej këtej duke mos ditur ku dhe kur të nisen drejt një destinacioni”, deklaron për Gazetasi.al Besnik Vathi.

Shqipëria përballet me një mungesë të informacionit turistik praktik që është i domosdoshëm për të orientuar turistin

Ndryshe nga vitet e shkuara, ai shton se këtë vit ka dominuar ardhja individuale e turistëve të cilët priren të përdorin transport publik.

“Duke qenë se nuk vijnë të organizuar me guida, në mungesë të informacioneve për transportin publik, detyrohen të lëvizin me taksi. Nëse shkon jashtë shtetit jo vetëm që ke informacione të përpikta në çdo stacion por të lajmërojnë automatikisht dhe ku është ndalesa e radhës. Këto janë informacione të një bote normale që duhet të jenë bazike dhe as nuk duhej të ishim duke i diskutuar tani”, thekson ai për Gazetasi.al, ndërsa shton se nëse kjo hallkë do të rregullohej dhe do të rritej numri i autobusëve ndërqytetas, do të lehtësohej edhe trafiku.

Një ndër problemet më shqetësuese është rregullimi i transportit publik, shprehet Vathi

Mungesa e një strukture që të orienton si të udhëtosh është shqetësuese edhe për Xhemanin e cila thekson se turmat e mëdha të turistëve presin me orë nëpër stacionet e Ksamilit e Sarandës urbanin që nuk vjen dhe të tjerë janë të hutuar në kërkim të një stacioni ndërqytetës a ndonjë tabele oraresh.

Parkingjet, shqetësim kryesor

Makina të ngjitura njëra pas tjetrës dhe shoferë që shfryjnë të inatosur apo i bien rrotull disa herë qytetit për të parkuar. Kjo është panorama e përgjithshme që të bie në sy sidomos nëse po kalon pushimet në Ksamil apo Sarandë ku përpjekjet për të gjetur parkim rezultojnë një kokëçarje e madhe.

Problemi sipas tur-operatorëve është thelluar më tej me rritjen e numrit të turistëve.

Vathi thotë për Gazetasi.al se kjo çështje duhet zgjidhur vrik nga qeveria pasi kaosi që shkaktohet në qytet është jashtëzakonisht i bezdisshëm për pushuesit.

“Duhet menduar shpejt për këtë situatë sidomos tani që flukset e turistëve janë në rritje. Nuk duhet vazhduar më me këtë situatë edhe në vitet e ardhshme”, vëren ai.

Mungesa e tualeteve publike, absurde

“Fytyrat si pikëçuditëse të turistëve kur mësojnë se qyteti nuk ka tualete publike por duhet të ‘blesh një ujë’ diku në një lokal për të përdorur tualetin, janë vetëm maja e ajsbergut të malit të madh të problemeve që ka nxjerrë në dritë rritja e fluksit”, thotë Xhemani. Sipas saj, ndërtimi i tualeteve publike nëpër qytetet ku është rritur ndjeshëm fluksi turistik, nuk do të ishte gjë tjetër veçse larja e një turpi të pakuptueshëm publik.

Po bizneset si duhet të përshtaten?

Harta e nacionaliteteve të turistëve që po vijnë për pushime në Shqipëri, ka ndryshuar këtë vit.

Ndonëse vitin e shkuar ishin turistët nga Europa Lindore dhe Lindja e Mesme ata që mbajtën peshën kryesore dhe “shpëtuan” turizmin, këtë verë prurjet më të mëdha sipas tur-operatorëve turistikë janë nga Europa Perëndimore dhe Amerika Latine.

Vasil Bedinaj, kreu i tur-operatorëve turistikë të jugut thekson për Gazetasi.al se gjeografia e turistëve ndryshoi shpejt brenda një viti.

“Nga polakët, çekët dhe turistët nga Lindja e Mesme që deri vjet mbizotëronin krahasuar me nacionalitetet e tjera, këtë sezon po vëmë re një lloj tjetër klientele. Kemi një fluks turistësh nga Spanja, Amerika Latine dhe Gjermania. Duken një treg premtues që do të rizgjedhin sërish Shqipërinë”, tregon ai për Gazetasi.al.

Ndërsa vitin e shkuar Shqipëria nuk mundi dot të plotësonte disa nga kërkesat specifike që tregu i Lindjes së Mesme kërkonte, Bedinaj thotë se turistët nga Europa Perëndimore shpenzojnë më shumë dhe rrjedhimisht duan cilësi më të lartë në shërbim.

Por, aktualisht turizmi po mbijeton me staf të pakualifikuar.

Si mund të zgjidhet kjo krizë?

“Turizmi po mbijeton me punonjës të pakualifikuar që mezi gjenden pasi shteti nuk po harton politika që të mbajë të mbërthyer profesionistët në vend. Duhet një kombinim mes gjithë institucioneve. Nuk është vetëm çështja e një ministrie”, thotë Zak Topuzi, kreu i Shoqatës së Hotelerisë.

“Duhet të ketë politika subvencionuese për të zgjatur sezonin në 8 muaj si dhe 4 muaj subvencionim page dhe sigurime shoqërore në zonat bregdetare”, thotë ai ndërsa ndërmend shembullin e Greqisë e cila e ka aplikuar prej vitesh tashmë këtë metodë.

Turizmi po mbijeton me punonjës të pakualifikuar, deklaron Topuzi

Topuzi i mëshon fort dhe rëndësisë për të pasur stafe të trajnuara të cilët duhet të trajnohen në mënyrë që shërbimi i keq të mos kthehet në boomerang.

Ndërtimi i hoteleve me kapacitete të mëdha dhomash dhe me kompleksitet shërbimesh, Beach Bare-, restorante të dedikuara, agrobiznese, bare dhe klube nate, po nxit rritjen e standardeve dhe cilësinë e shërbimit. Zhvillimi i vrullshëm ka bërë që një pronar apo të afërmit e tij, nuk mund të jenë të aftë të drejtojnë me sukses, pa pasur fillimisht një përgatitje profesionale. Ndaj duhet të trajnohen. Kjo bën të mundur edhe aktivizimin e profesioneve të reja si: menaxher marketingu, SPA apo shitje, bartender, somelier etj”, thotë Topuzi. Sipas tij, prej disa sezonesh tashmë është krijuar një situatë emergjente për burime njerëzore në këtë sektor.

Një anketë e zhvilluar nga PNUD, me bizneset e hotelerisë, 27% e tyre pohuan se kanë problem me stafin e pakualifikuar.

Të rritet numri i apartamenteve me qira me kuzhinë brenda

Në total, sipas shifrave zyrtare, Shqipëria kishte 98 mijë shtretër në fund të vitit 2021 (publikimi Turizmi në Shifra 2022 ende nuk është publikuar).

Durrësi dhe Kavaja sipas INSTAT duket se janë rajonet me kapacitetin akomodues më të lartë, kurse në Jug ka pasur një tendencë drejt fshatrave turistikë.

Vathi thotë se ka ende nevojë për rritjen e kapaciteteve akomoduese, kryesisht të apartamenteve me qira.

“Ka shumë turistë që vijnë në Shqipëri sepse e njohin atë si një vend low-cost ndaj preferohen apartamentet me qira, me kuzhinë brenda ku ato të gatuajnë vetë”, thotë ai. Sipas tij, është e nevojshme që të rregullohen të gjithë çështjet e lartpërmendura në mënyrë që Shqipëria të renditet krah Greqisë.

Sepse ndryshimi sipas operatorëve qëndron te fakti që ne kemi, por grekët edhe dinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë