Biznes

Turistët në Shqipëri kanë ‘harruar’ të marrin portofolin

Nga Gazeta 'SI' - Ndonëse shifrat zyrtare flasin për 4.5 milionë turistë të huaj në gjashtë muajt e parë të vitit, në realitet, buzë detit, ata ndihen shumë më pak.

Mungesa e turistëve po shqetëson baret dhe hotelet, teksa shezlongët qëndrojnë të pahapur.

Një vit më parë, Shqipëria ishte një “top destination” për të huajt, që pushtuan territorin gjatë gjithë verës, ndërsa sivjet prezenca e tyre duket të jetë e zbehur.

Arben Çipa, kryetar i shoqatës së tur-operatorëve të Sarandës thotë për Gazetasi.al se në numër, këtë vit ka më shumë turistë, por është tipologjia e tyre që ka ndryshuar dhe ka ulur kërkesën.

Çipa thotë se Shqipëria këtë është dendur nga moshat e reja, që ka ndryshuar të gjithë zinxhirin e konsumit.

“Si numër kemi rritje këtë vit, por ka ndryshuar tipologjia dhe kjo na ka sjellë pikëpyetje. Kanë ardhur më shumë mosha të reja dhe padyshim shpenzimet e tyre janë më të pakta. Të rinjtë nuk fokusohen tek ushqimi. Ndryshimi është se kanë zgjedhur më shumë apartamente dhe jo hotele. Apartamentet janë më ekonomike dhe kanë mundësi akomodimi për më shumë persona. Kështu funksionon në të gjithë Europën. Ata që marrin apartamente zgjedhin supermaketet. Fast food-ed janë në lulëzim dhe jo restorantet”, thotë kreu i tur-operatorëve.

Apartamentet të llojit AirBnB janë pengesë për hotelet, thonë në anonimitet, operatorët turistikë dhe se ligji për rregullimin e tyre, ende nuk ka patur efekt në terren. Edhe gjendja joeficiente e transportit publik në Shqipëri, është dhimbje koke për bizneset e bregdetit të jugut.

Operatorët shprehen se turistët në Shqipëri nuk mund të paguajnë taksi për në jug, më të shtrenjtë se bileta e avionit dhe vërtiten rreth Tiranës e Durrësit.  

Fotografi e marrë nga rrjetet sociale, Durrës

Gjithsesi Çipa pranon se plazhi i Durrësit ka më pak turistë sivjet, teksa Golemi po shkëlqen.

Lidhur me mungesën e qytetarëve të Kosovës, Çipa thotë se nuk ndihet, kjo edhe për shkak se jugu nuk ka qenë fort në fokusin e tyre. Ai pret që gushti dhe shtatori të jenë periudhat më të mira të turizmit, pasi përkon dhe me fundin e kampionatit Europian dhe traditën e zakonshme të pushimeve.

“Jemi në fillim të korrikut dhe duam të besojmë se përfundimi i kampionatit Europian do të sjellë më shumë turistë më Shqipëri. Në gusht, shtator, do të kemi dhe kategori të tjera të turistëve dhe pritet të vërtetohet. Nga hotelet shohim që ka klimë pozitive për dy muajt e ardhshëm. Kemi më shumë të nevojshme moshat e mesme dhe të treta se sa të rinjtë. Të rinjtë duhet të jenë në zona të dedikuara. Në rast se në një destinacion prevalon mosha e re, është fillimi i fundit.”

Edhe Besnik Vathi, kreu i shoqatës së tur-operatorëve, thotë për Gazetasi.al se ka rritje të numrit t turistëve, por janë shtuar ata që vijnë me kosto minimale.

Vathi thotë se ka një ngërç me shifrat zyrtare, që krijon ide të gabuar për turizmin në Shqipëri.

“Kur e dëgjojmë ato shifra, ne presim dyndje. Jo çdo vizitor është turist, por çdo turist është vizitor. Shifrat janë për vizitorët dhe raportohen si turistë. Gjatë këtij viti kemi një numër shumë të lartë të vizitorëve tranzit, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, që përdorin aeroportin e Tiranës. Ne i numërojmë në hyrje si turistë. Ata shkojnë turistë diku tjetër dhe në i llogarisim dy herë madje”, shprehet Vathi për Gazetasi.al.

Operatorët turistikë janë të shqetësuar dhe nga kaosi i krijuar në hapësirat e plazhit, ku administrimi i parcelave nuk i përket më vetëm hoteleve, por edhe individëve që i përfitojnë ato të në mënyra korruptive.

Menaxhimi i infrastrukturës së bareve dhe higjienë, është po ashtu merak i hotelierëve.

Ata ironizojnë se yjet për hotelet i jep kryeministri dhe se nuk respektohen standardet e pikëzimit sipas kushteve të shërbimit.

Përfaqësuesit e bizneseve të turizmit në vend propozojnë një unifikim të çmimeve midis operatorëve të të njëjtit nivel, pasurimin e menuve me gatime tradicionale dhe pije artizanale, krijimin e paketave turistike me opsione shtesë argëtimi, tërheqjen e një stafi më të kualifikuar etj. Po ashtu kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për të pastruar mjedisin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë