Bota

Turbulenca të forta mbi Adriatik, avioni bën ulje emergjente në Romë. Plagosen stjuardesat

Gazeta Si - Një avion “EasyJet” me 181 persona në bord, bëri një ulje emergjente në aeroportin Fiumicino të Romës, pasi u përball me turbulenca në hapësirën ajrore italiane, që plagosi dy stjuardesa.

Ngjarja, e cila ndodhi të hënën e 19 gushtit rreth drekës, tashmë është nën hetim nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Fluturimeve (ANSV), të cilët e kanë klasifikuar ngjarjen si "incident”

“Airbus A320” i transportuesit britanik u ngrit nga aeroporti grek i Korfuzit në orën 12.44 (me orën shqiptare) sipas të dhënave të ofruara nga “Flightradar24” me destinacion aeroportin londinez “Gatwick”.

Në bord kishte 175 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. Menjëherë pas hyrjes në hapësirën ajrore italiane, fluturimi i “EasyJet 8210” hasi në turbulenca në orën 13.01: në atë moment avioni ishte në 8.588 metra mbi nivelin e detit Adriatik dhe udhëtonte me 779 kilometra në orë.

Hetimet e ANSV do të duhet të konstatojnë nëse ishte një ngjarje e papritur - e ashtuquajtura "turbulenca në ajër të pastër" - ose, një hipotezë tjetër është se turbulenca ishte e dukshme në radarin e motit në bord, por për disa arsye ishte nënvlerësuar nga pilotët.

Lëkundjet e forta shkaktuan plagosjen e dy stjuardesave, por kjo ndodhi në një kohë kur ekuipazhi i kabinës zakonisht nuk mban rripat e sigurimit, pasi po përgatisin karrocat e tabakave për të shërbyer ushqim dhe pije për pasagjerët.

Pasi u konstatuan kushtet shëndetësore, pilotët vendosën të devijojnë në Fiumicino për të lejuar personelin mjekësor të jepte ndihmën e parë.

“Duke marrë parasysh llojin dhe ashpërsinë e lëndimeve të raportuara dhe në përputhje me dispozitat dhe rregulloren e BE-së 996/2010, kemi urdhëruar hapjen e një hetimi sigurie duke e klasifikuar ngjarjen si një ‘incident’”, tha ANSV në një shënim.

Hetuesit, ndër të tjera, do të duhet të sqarojnë edhe pse pilotët vendosën të devijojnë drejt Romës dhe jo në Bari apo Brindizi, aeroportet më të afërta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë