Lajme

Tsipras dhe BE përshëndesin votimin në Parlamentin e Maqedonisë

Votimi pro ndryshimeve kushtetuese ditën e premte në Parlamentin e Maqedonisë është pritur me entuziazëm brenda dhe jashtë vendit. Shumë pozitive kanë qenë reagimet e para që kanë ardhur nga  Bashkimi Europian dhe Greqia. Vendimi i Parlamenti i Maqedonisë që i hapi rrugën për ndryshimit të emrit të vendit së pari është përshëndetur nga kryeministrit grek Aleksis Tsipras.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras u tregua entuziast pas votës pro në Shkup. “Urime miku im Zaev! Ky është një hap i rëndësishëm për të ardhmen në paqe dhe prosperitet të vendeve tona.”- shkroi në twitter Aleksis Tsipras.

https://twitter.com/tsipras_eu/status/1053400036464308226

Edhe nga BE kanë ardhur përgëzimet e para për hapin e rëndësishëm të parlamentit të Maqedonisë. Kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk e uroi Shkupin për këtë vendim. “Një zë, një hap i rëndësishëm në drejtim të vendit që ju takon në bashkësinë tonë transatlantike”, shkroi Tusk në gjuhën maqedonase në twitter.

Edhe e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini e cilësoi votën e parlamentit si “hap shumë të rëndësishëm” për zbatimin e marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Ndërkohë në një deklaratë të publikuar në Bruksel, thuhet, se tani pritet të punohet shpejt, që të bëhen ndryshimet kushtetuese. “Ky është vërtet një rast unik, për ta çuar përpara vendin në rrugën europiane si edhe për pajtimin rajonal.” Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni u miratuan me një shumicë të ngushtë prej dy të tretash.

Për tre dekada, qeveritë e Athinës e kishin përdorur si mjet presioni çështjen e emrit duke bllokuar integrimin e Maqedonisë në BE dhe anëtarësimin e saj në NATO. Ujdia e arritur për ndryshimin e emrit, e njohur si Marrëveshja e Prespës, kishte rëndësi të veçantë për Maqedoninë për të parë drejt së ardhmes, por edhe për Greqinë që has po ashtu me rezistencë të disa aktorëve politikë brenda vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë