Lajme

Truproja i Michel me Covid, shtyhet samiti i BE-së

Samiti i vendeve anëtare të Bashkimit Europian është shtyrë me një javë. Shkak për këtë vendim është izolimi i Presidentit të Këshillit, Charles Michel.

Michel u detyrua që të nisë masën e karantinës pasi njëri prej truprojave të tij rezultoi më herët pozitiv me virus.

Zëdhënësi i Presidentit të KiE-së, Barend Leyts njoftoi përmes rrjeteve sociale se Charles Michel gëzon shëndet të plotë dhe se testohet çdo ditë për Covid-19. Ai tha se gjatë testimit të së hënës, Michel rezultoi negativ.

Megjithatë, për shkak të ligjeve belge, Michel duhet të qëndrojë për 14 ditë në karantinë. Kjo e shtyn samitin e parashikuar për t’u mbajtur në datat 24 dhe 25 shtator për në datën 1 dhe 2 tetor.

Në këtë samit, udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë për sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe Turqisë, si dhe për zgjerimin, ku gjasat janë që Maqedonia e Veriut të marrë datën për mbledhjen e parë ndërqeveritare brenda këtij viti, ndërsa për Shqipërinë ky vendim mund të shtyhet për në vitin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë