Nga Simon Kuper– Është një parim i vjetër i mendimit politik se, për të ndërtuar një identitet kolektiv, të duhet një armik.
Një kundërshtar mund t’i detyrojë njerëzit të bashkohen. Hitleri e luajti këtë rol për Britaninë, ndërsa BRSS-ja për SHBA-në. Pas shembjes së armikut sovjetik, u shpërbë edhe uniteti amerikan.
Por BE-ja i fitoi armiqtë e jashtëm vetëm në dekadën e fundit: fillimisht breksitistët, më pas Vladimir Putinin, me Kinën që qëndronte në sfond, dhe tani, më në fund, armikun e përsosur – Donald Trumpin.
Ai ndoshta ka bërë më shumë për të bashkuar Europën sesa çdokush europian ndonjëherë.
Mungesa e armiqve e kishte dobësuar prej kohësh Europën. Thjesht nuk dukej se kishte shumë arsye për të luftuar për kauzën.
Kur së fundmi studiova themelimin e Komunitetit Ekonomik Europian (KEE) në vitin 1957, më bëri përshtypje fakti se pothuaj askush nuk e kundërshtoi. Ja ku ishte një ideal shekullor – Europa e bashkuar – që nuk ishte realizuar kurrë më parë, e megjithatë, kur një grusht liderësh, vendet e të cilëve sapo kishin luftuar mes tyre në një luftë të tmerrshme, ranë dakord për të, pa u konsultuar pothuajse fare me votuesit, pothuaj të gjithë thanë: në rregull.
SHBA-ja e mbështeti KEE-në, Britania e Madhe nuk iu bashkua, por as nuk e kundërshtoi seriozisht, sovjetikët u shqetësuan më shumë për NATO-n, dhe shumica të mëdha parlamentare në gjashtë vendet themeluese ratifikuan krijimin e KEE-së.
Një bashkim ekonomik teknokratik pa armiq ngjalli pak emocion. Askush nuk do të vdiste për flamurin blu me yje të artë, dhe vetëm disa ultras të Ryder Cup-it e valëvitnin atë në ndonjë event sportiv. Në seriale televizive dhe filma, heroi që luftonte “të këqijtë” gjeopolitikë ishte pothuajse gjithmonë amerikanë, jo europianë.

Brexit u bë kërcënimi i parë potencialisht ekzistencial për BE-në. Shumë menduan se do të nxiste dalje të tjera. Në vitin 2018, udhëheqësi i ekstremit të djathtë në Itali, Matteo Salvini, pak para se të hynte në qeveri, e krahasoi BE-në me “Titanikun që po mbytej”. Si përgjigje ndaj këtij kërcënimi, mbështetja e qytetarëve për unionin u rrit në nivelin më të lartë që nga viti 1983, raportoi sondazhi Eurobarometer i Komisionit Europian në pranverën e vitit 2018. Brexit i shoi lëvizjet kontinentale për dalje nga BE-ja.
Më pas, Putini zëvendësoi breksitistët si armiku kryesor i Europës dhe ndihmoi në avancimin e unitetit europian. Deri në vjeshtën e vitit 2024, madje edhe para zgjedhjes së Trumpit, 74 për qind e të anketuarve në Eurobarometer thanë se ndiheshin qytetarë të BE-së – niveli më i lartë në më shumë se 20 vjet.
Nuk kam parë kurrë më parë europianët të ndihen kaq europianë. Javën e kaluar mora pjesë në një takim elitar në Holandën tejet atlantiste, ku mendimi dominues ishte se kishim humbur SHBA-në dhe duhej të mbroheshim vetë. Një nga pjesëmarrësit, Jaap de Hoop Scheffer, sekretar i përgjithshëm i NATO-s nga viti 2004 deri më 2009, tha se Europa nuk mund të mbrohej e vetme dhe se SHBA-ja ende e mbështet NATO-n, por shtoi: “Kam frikë nga braktisja, por e kam kaluar fazën e zisë.”
Më pas pashë kryeministrat e Danimarkës dhe Groenlandës të flisnin në universitetin parizian Sciences Po, ku studentët e mbledhur dhe madje edhe disa gazetarë u ngritën në këmbë për t’i duartrokitur. Më në fund, Europa po prek telat e zemrës. Nëse kontinenti po e çkolonizon veten nga zotëria i tij amerikan, kjo është njëkohësisht tmerruese dhe ngazëlluese.
Këto nuk janë thjesht emocione elitare.
Sondazhi më i fundit “Eurobazooka”, me 7.498 europianë, i zhvilluar për revistën franceze Le Grand Continent, është tronditës. Shumica dërrmuese mbështetën dërgimin e trupave europiane për të mbrojtur Groenlandën. Pesëdhjetë e një për qind thanë se Trump është armik i Europës; vetëm 8 për qind e quajtën mik. Vetëm 3 për qind e demokratëve të krishterë gjermanë – atlantistët më të vendosur – mendonin se ai ishte demokrat.
Dhe, në mënyrë të pazakontë për një çështje të politikës së jashtme, ndërgjegjësimi për “momentin e Groenlandës” ishte pothuajse i plotë.
Sondazhi identifikoi vetëm një grupim politik europian të ndarë për Trumpin: të djathtën ekstreme. Disa nga votuesit e saj e pëlqejnë, të tjerë jo. Ai po e ndan të djathtën ekstreme ashtu siç migracioni e ndau të majtën europiane.
Gjithmonë kam dyshuar se Europa ekzistonte si diçka më shumë sesa një treg i vetëm i papërfunduar. Kjo mund të jetë duke ndryshuar.// Financial Times
Shënim: Simon Kuper është kolumnist në FT dhe shkruan mbi të gjitha llojet e temave, nga politika te librat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



