Nga Gazeta ‘Si’- Vetëm tre orë pasi djali i tij dhe një delegacion këshilltarësh mbërritën në Groenlandë, Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, ka deklaruar të martën se nuk e përjashton përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë.
Ai theksoi se kontrolli i SHBA-së mbi të dyja është jetik për sigurinë kombëtare amerikane.
Duke folur me gazetarët më pak se dy javë para se të marrë detyrën më 20 janar, Trumpi ka lënë të hapur mundësinë e përdorimit të ushtrisë amerikane për të siguruar të dy territoret, raporton AP.
“Unë nuk e përjashtoj këtë”, ka thënë ai kur është pyetur nëse do të përdorte ushtrinë.
“Mund të ndodhë që duhet bërë diçka. Kanali i Panamasë është jetik për vendin tonë. Ne kemi nevojë për Groenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare”, ka shtuar Trumpi.
Groenlanda është një territor autonom i Danimarkës, një aleat i vjetër i SHBA-së dhe një anëtar themelues i NATO-s. Republikani Trump ka kërkuar po ashtu që Kanadaja të bashkohet me Shtetet e Bashkuara.
Trumpi ka deklaruar po ashtu se dëshiron të riemërtojë Gjirin e Meksikës në “Gjiri i Amerikës”.
“Kjo mbulon shumë territor, Gjiri i Amerikës – sa emër i bukur dhe i përshtatshëm”, është shprehur ai teksa fliste para gazetarëve në Mar-a-Lago.
Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, ka paralajmëruar sërish se nëse pengjet izraelite që ende mbahen në Gaza nuk lirohen deri në kohën e inaugurimit të tij, më 20 janar, “i gjithë ferri do të shpërthejë në Lindjen e Mesme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.