Bota

Trump dhe Zelensky takohen në Nju Jork: Nëse fitoj zgjedhjet, do të angazhohem t’i jap fund luftës sa më shpejt

Nga Gazeta 'Si'-Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u takua në kullën Trump në Nju Jork me ish-Presidentin Donald Trump.

Para takimit Trump, tha se marrëdhëniet e tij, si me Zelenskyn ashtu edhe me presidentin rus Putin janë shumë të mira dhe se nëse fiton zgjedhjet, do të angazhohet t’i japë fund luftës sa më shpejt.

Takimi vjen pas kritikash të forta që Trump ka bërë ditët e fundit ndaj Zelenskyt. Presidenti ukrainas u prit gjithashtu dje në takim nga Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris për të diskutuar mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën.

Ndërkohë ligjvënësit republikanë në Kongres, dënuan vizitën e Zelenskyt në një fabrikë municionesh në Pensilvani, duke e quajtur atë një “aktivitet elektoral” të organizuar siç thane, “për të ndihmuar demokratët".

“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë, por unë gjithashtu kam një marrëdhënie shumë të mirë, dhe me Presidentin Putin. Dhe mendoj se nëse fitojmë, do ta zgjidhim shumë shpejt, këtë çështje. Por ju e dini duhet dy vetë për të kërcyer një tango. Mendoj se fakti që jemi sot bashkë është një shenjë shumë e mirë dhe nëse do të fitojmë zgjedhjet mendoj se përpara se të marr mandatin e presidentit më 20 janar, mund të bëjmë diçka që është e mirë për të dyja palët. Mendoj se ka ardhur koha”, tha Trump para takimit.

Duke folur para gazetarëve në “Kullën Trump”,Zelensky tha se do të diskutonte me Trump "planin e tij të fitores" për Ukrainën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë