Presidenti Donald Trump ka mirëpritur sot në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin Avdulla Hoti dhe presidentin Aleksandër Vucic, për të nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Trump ka njoftuar pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Kosovën dhe Serbinë se do të vizitojë në të dyja shtetet. Presidenti e ka quajtur këtë moment historik.
“Me të vërtetë, është historike”, tha Trump, duke qëndruar përkrah dy udhëheqësve në Zyrën Ovale. “Kosova dhe Serbia kanë shprehur përkushtimin të normalizojnë raportet ekonomike.”
Duke folur në një konferencë për shtyp me dy presidentët, ai tha se administrata Amerikane është përqendruar tek ekonomia, tek rritja ekonomike, bashkëpunimi në çështje ekonomike.
“Ky është një hap shumë i madh përpara, ka pasur guxim të madh nga të dy palët që u takuan sot, njerëz shumë të respektuar që të punojnë mbi këto tema dhe të vijnë në Uashington për të finalizuar këto angazhime… Unë pres më padurim që Kosova dhe Serbia të arrijnë progres në çështjet ekonomike dhe mesi pres që të shkoj tek ata (presidentët) në një të ardhme jo të largët, pra jemi shume krenar për këta dy drejtues dhe është vërtetë historike”, theksoi presidenti.
” Ka pasur guxim të madh nga dy liderët që të punojnë mbi këto tema, për të finalizuar temat e tyre me rëndësi. Mezi pres të shkoj tek dy vendet në të ardhme jo të largët. Jemi krenarë për këta dy liderë,”, deklaroi Trump në konferenë”.
Ndërkohë, Këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare deklaroi se marrvëshja ka qënë për çështjet ekonomike. “Në këtë drejtim është bërë një hap fantastik nga te dy vendet. Serbia dhe Kosova do te njohin licensat e njeri tjetrit, janë bere hapa sepse do te kemi normalizim ekonomike”, tha ai.
Mediat në Prishtinë kanë siguruar përmbajtjen e kësaj marrëveshje e cila përbëhet prej 16 pikash. Kjo marrëveshje cilësohet si ekonomike dhe në paragrafim e parë thuhet se Serbia dhe Kosova kanë pranuar të normalizojnë marrëdhëniet.
Sipas kësaj marrëveshjeje, të dyja vendet janë pajtuar të punojnë me Departamentin amerikan për Energji, për studim fizibiliteti në mundësinë e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim për ujë dhe furnizim me energji.

Nga ana e tij, Hoti ka theksuar se marrëveshja me Serbinë është një hap i madh përpara që do të çojë në njohjen reciproke mes dy vendeve.
“Unë besoj se kjo është një arritje shumë e madhe për Kosovën, marrëveshja i hap rrugë normalizimit të plotë të marrëdhënieve Serbi dhe Kosovë deri tek njohja reciproke”, deklaroi ai. “Sot është hapi i parë drejt normalizimit të marrëveshjeve ekonomike. Nuk është një marrëveshje finale kjo e sotmja por si një hap i madh drejt asaj që është marrëveshja finale ajo e njohjes reciproke”, deklaroi ai.

Presidenti i Serbisë Vuçiç e ka cilësuar një hap të madh marrëveshjen e arritur, por që ende mes palëve ka dallime.
“Ne nuk i kemi zgjidhur të gjitha problemet tona. Ka akoma dallime, por të kesh një zonë të unifikuar ekonomike me Kosovën ishte një hap i madh përpara.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme, unë i jam mirënjohës Trump. Hoti u zotua që të bashkohen në mini-Shengenin rajonal. Kjo do të sigurojë lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, shërbimeve. Ishte e një rëndësie fantastike për të gjithë ne” tha ai.
Presidenti serb u tha gazetarëve në Uashington se, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, delegacioni serb pati një takim të gjatë dypalësh me Presidentin e SHBA Donald Trump.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



