Futboll

Tronditet UEFA! Boban jep dorëheqjen, është kundër ndryshimit të statutit nga Ceferin

Gazeta si – Zvonimir Boban nuk bën kurrë kompromis me parimet e tij në të mirë të futbollit. Kroati është nga ata që flasin hapur, pa shumë diplomaci. Këtë ka bërë edhe së fundi, duke tronditur UEFA-n në prag të Kongresit me dorëheqjen e tij.

Boban nuk është dakord me ndryshimin e statutit nga Ceferin, që do ta lejonte këtë të fundit të rikandidonte përtej 2027-ës. Ish-mesfushori i famshëm ka bërë të ditura arsyet e dorëheqjes me një letër të hapurt. UEFA në anën tjetër me pak radhë ka bërë me dije se largimi i Bobanit është bërë me një akord të përbashkët.

“Më vjen shumë keq, por me zemër të thyer largohem nga UEFA”. Kështu mbyllet letra e tashmë ish “Head of football” në Nion. Kroati u zgjodh nga presidenti Aleksander Ceferin si këshilltar personal i tij në prill të 2021-shit. Por ishte pikërisht përplasja me Ceferin për disa tema të rëndësishme arsyeja e lamtumirës së Boban nga qeveria e futbollit europian.

Një humbje për Nionin, që në të ardhmen e afërt duhet të përballet me pasojat e sentencës së Trupës së BE-së. Gjykatësit e Luksemburgut kanë autorizuar edhe privatët të krijojnë një turne (Superliga e famshme).

Në qendër të cështjes është vendimi për rishikimin e statutit në lidhje me presidencën e UEFA-s. Një ndryshim, që Boban dhe jo vetëm ai, e gjykon kundër vlerave, nga të cilat duhet të frymëzohet UEFA. Pas zgjedhjeve në shtator 2016, Ceferin kishte futur limitin e 3 mandateve presidenciale.

Për pasojë, në 2027-ën nuk mund të rikandidojë. Në Kongresin e Parisit, më 8 shkurt, do të votohet për një ndryshim që do ta lejonte sllovenin për një mandat të ri në teori, falë interpretimit të ri të një neni: limit i 12 viteve vlen për atë që kandidon pas hyrjes në fuqi të rregullit, jo për atë që është zgjedhur më parë, si Ceferin.

Zvonimir Boban. Gazeta Si, 25 janar 2024

Për Bobanin është problematike edhe zgjatja e moshës për pjesëtarët e Komitetit Ekzekutiv, që mund të zgjidhen edhe pasi të kenë mbushur 70 vjeç. “Bëhet fjalë për një propozim për modifikimin e statutit të UEFA-s, që mundëson presidentin aktual të kandidojë sërish pas këtij mandati që duhej të ishte i fundit.

Pasi shpreha shqetësimin tim të madh dhe jam totalisht kundër, presidenti më tha se për atë nuk ka asnjë problem ligjor dhe aq më shumë etik e moral dhe se do ta vazhdonte pa asnjë dyshim rrugën e tij”, – vazhdon letra e Boban.

Nëse Kongresi në Paris jep ‘ok’-in për modifikimin e statutit, nuk ka formalisht asnjë problem ligjor. Por nga pikëpamja etike është ndryshe. Ceferin duhej të përfaqësonte UEFA-n e re dhe ky vendim është një hap prapa.

“Paradoksalisht, – vazhdon Boban, – në 2017-ën ishte pikërisht Ceferin që propozoi një paketë reformash që e mohonin qartësisht këtë mundësi. Rregulla që duhej të mbronin UEFA-n dhe futbollin europian nga ‘bad governance’, që për vite ka qenë problemi i sistemit të vjetër.

Diçka e jashtëzakonshme për futbollin dhe Ceferin. Tani ky distancim nga ato vlera, duke fshirë reformat më të rëndësishme, është i papranueshëm, veçanërisht në këtë moment”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë