Qyteti i Korçës është shkundur mëngjesin e sotëm nga një tërmet me magnitudë 5.2.
Lëkundja e fuqishme me magnitudë 5.2 i shkallës Rihter ka tronditur qytetin juglindor, në orën 06:25. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, epiqendra e tërmetit ka qenë në fshatin Miras, 11 km nga Korça me thellësi 25 km, ndërsa lëkundjet janë ndier edhe në zonat përreth. Banorët janë tronditur dhe kanë dalë nga shtëpitë e tyre për shkak të frikës së një lëkundjeje të dytë.
Përpos panikut te banorët e zonës, tërmeti ka shkaktuar edhe dëme materiale. Qyteti i Korçës u përball me një tërmet të fortë të magnitudës 5.3 edhe në qershor të këtij viti në fshatin Floq, ku pati të plagosur dhe dëme të shumta në banesat e tyre.
Sipas banorëve, tërmeti i sotëm ka bërë që të thellohen edhe më shumë dëmet që u shkaktuan më 1 qershor. Dëmet më të shumta janë në dy fshatrat Vidohovë e Qafzezë, ku është thelluar edhe më tej dëmtimi i banesave.
Ndërkohë, lëkundjet janë ndjerë edhe në shumë qytete të tjera, si në Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, por edhe në Greqi e Maqedoninë e Veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




