Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit, ku në një atentat kanë humbur jetën dy persona. Viktimë ka mbetur Lulzim Bitri, i cili humbi jetën në vend. Ndërsa Ardian Çollaku alias Ardian Subashi, ka ndërruar jetë në mesnatë në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Çollaku fillimisht u raportua i vdekur, por më pas Spitali i Elbasanit njoftoi duke thënë se ishte në vdekje klinike në gjendje tepër të rëndë.
Ai u dërgua në gjendje kome drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por për shkak të plagëve të shumta ndërroi jetë në mesnatë.
Ngjarja ka ndodhur pranë një pike karburanti gjatë aksit Elbasan-Metalurgjik. Ardian Çollaku, i njohur edhe si Ardian Subashi, baba i dy fëmijëve, është ekzekutuar sapo ndaloi pranë kësaj pike karburanti, bashkë me Bitrin, ndërsa autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja.
Një makinë e djegur është gjetur pak kohë pask këtij krimi në fshatin Balldren dhe dyshohet se i ajo u përket autorëve të ngjarjes në fjalë. Ardian Çollaku nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë.
Ai është dënuar më parë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe është ekstraduar nga Italia. Po ashtu, ka qenë edhe subjekt i OFL-së. Edhe Bitri ka qenë i dënuar në Maqedoni, pasi ka qenë i përfshirë në një përplasje me armë.
Policia nuk ka ende asnjë informacion për autorët e ngjarjes. Forca të shumta policore janë në vendngjarje dhe kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit. Dyshohet se krimi ka ndodhur për larje hesapesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.