Futboll

Trofeu i fundvitit, Partizani dhe Egnatia luajnë sot për Superkupën e Shqipërisë

Gazeta Si – Trofeu që më parë i paraprinte sezonit të ri, tashmë është bërë traditë të zhvillohet në dhjetor. Superkupa e Shqipërisë do të diskutohet sot, në ‘Air Albania’, ora 19:00, mes Partizanit dhe Egnatias.

Partizani vjen në këtë ndeshje si kampion në fuqi i Superiores, kurse Egnatia si fituese e Kupës së Shqipërisë. Më shumë është një trofe prestigji, që të dyja skuadrat, pavarësisht impenjimeve që kanë në kampionat në fundjavë, do të përpiqen ta fitojnë.

Egnatia vjen në këtë ndeshje në një formë më të mirë sportive. Kryeson bindshëm kampionatin, me një diferencë prej 5 pikësh pikërisht ndaj skuadrës së kuqe.

Partizani nuk fiton në kampionat prej shumë javësh dhe ndeshja e sotme ndoshta është momenti më i mirë për t’u zhbllokuar. Për më tepër, kur në lojë është një trofe, motivimi bëhet më i madh për të dhënë gjithçka në fushën e blertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë