Gazeta Si - Atentati me tritol ndaj Aldi Mustafës të hënën në Shkozet të Durrësit mbetet pa autor. Por as 37-vjeçari i shënjestruar nuk i ka ndihmuar hetimet, pasi ka zgjedhur të heshtë duke deklaruar se nuk ka konflikte me askënd.
Ai ka thënë para oficerit të policisë gjyqësore se nuk ka pasur as kërcënime apo paralajmërime.
Gjithsesi grupi hetimor është fokusuar në aktivitetin e tij të mëparshëm për të zbardhur ngjarjen. Mustafa njihet si person me precedentë penalë brenda dhe jashtë vendit.
Dyshohet se ai mund të jetë përfshirë në lidhjet që ka pasur me eksponentë të krimit në qytetin e Durrësit.
"Nuk kam asnjë konflikt. Mendoj se ngjarja ka ndodhur për shkak se një vit e gjysmë më parë u arrestova dhe mediat në atë kohë raportuan ‘u kap krimineli, u kap vrasësi me pagesë’. Kjo mund ka nxitur organizimin e ngjarjes me tritol, duke përmendur emra dhe fakte të paqena, që më kanë krijuar shumë probleme”, - ka thënë ai para hetuesve.
Lënda plasëse e vendosur në gomën e pasme të makinës ‘Golf 6”, dyshohet se ishte e montuar me telekomandë dhe të ketë qenë e kontrolluar.
Por nuk përjashtohet pista që shpërthimi të ketë ndodhur edhe nga një mesazh apo telefonatë e pavullnetshme.
Mustafa është banor i Shkozetit dhe sapo kishte dalë nga banesa e tij rreth orës 14:00 të së hënës kur ka dëgjuar shpërthimin.
37-vjeçari ka arritur të dalë nga mjeti pa lëndime, ndërkohë që sasia e eksplozivit të vendosur në mjet dhe e komanduar në distancë, dyshohet se mund të ketë qenë edhe një paralajmërim për të.
Gjithashtu, ka dyshime se shënjestra ka qenë në vëzhgim nga autorët apo porositësit, ku kanë pritur një zonë që për momentin nuk kishte lëvizje, ndërsa makina e Mustafës po ecte me shpejtësi minimale.
Nëse automjeti do kishte qenë duke lëvizur me shpejtësi më të lartë, thonë burime nga grupi hetimor, do të krijoheshin kushte edhe të një aksidenti me pasoja përveç atyre nga shpërthimi.
Aldi Mustafa ndërkohë nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi njihet për lidhjet e tij me bandat dhe miqësinë me Aleksandër Lahon ose i njohur ndryshe si “Rrumi” i Shijakut.
Ky i fundit një nga personat më të përfolur për ngjarjet kriminale, përfshirë edhe atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoj.
Në shtator 2021, ai ra në prangat e policisë si një nga 3 personat që kishte planifikuar një vrasje në Durrës, kundrejt pagesës.
Ai ka dalë nga burgu para pak muajsh, teksa prokuroria dhe gjykata nuk kanë gjetur tek ai prova që e përfshinin si të dyshuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.