Rend dhe Ligj

Tritoli ndaj fasonerisë, 46-vjeçari i dha 100 mijë lekë adoleshentit për ta vendosur në biznesin e italianit

Gazeta Si – Zbardhet ngjarja e ndodhur para 6 ditësh në kryeqytet, ku një sasi tritoli shpërtheu jashtë një fasonerie në zonën e Freskut në pronësi të një shtetasi italian.

Sipas policisë, mësohet se dy persona janë vënë në pranga si autorë të dyshuar, Edmond Arapi 46 vjeç dhe një i mitur.

Ka qenë Arapi ai që e ka nxitur 16-vjeçarin për vënien e tritolit në fasonerinë në pronësi të italianit Roberto Bingaidos. Ai i ka dhënë të miturit 100.000 lekë të rinj në mënyrë që të vinte eksplozivin.

Sipas burimeve paraprake, biznesmenit italian i ishte vendosur një gjobë prej 100 mijë eurosh nga Edmond Arapi, i akuzuar më parë për plagosje.

Por italiani nuk ka pranuar që të paguajë. Arapi e ka kërcënuar disa herë italianin, duke i thënë se nësë nuk do t’i jepte paratë do ta pësonte keq. Pasi italiani nuk pranoi të paguante gjobën, Arapi nga Himara ka organizuar edhe vendosjen e tritolit.

Ai ka kontaktuar 16-vjeçarin, e ka porositur të vjedhë një biçikletë dhe më pas i ka siguruar edhe sasinë e tritolit, duke i premtuar 1 milion lekë të vjetra për ta vendosur në ambientet e fasonerisë.

Pasi kanë vendosur tritolin autori dhe janë larguar. I mituri fshihej në Valias, ndërsa porositësi në Himarë.

Policia ka marrë dhe dëshminë e italianit që ka ndihmuar në zbardhjen e vendosjes së tritolit. Pas koordinimeve me komisariatin e Himarës kanë marrë informacion për autorin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së Edmond Arapit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë