Dyshohet se vëllezërit Alfred dhe Elton Debreshi kanë sajuar atentatin me tritol në makinën e këtij të fundit për të përfituar azil në Gjermani. Kjo është pista kryesore e Prokurorisë së Dibrës, e cila ka kryer një përgjim ambiental të bisedës së dy vëllezërve.
Këtë të martë, Gjykata e Dibrës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Alfredin, i dyshuar si autor i vendosjes së tritolit në makinën e parkuar në oborrin e shtëpisë, që shkaktoi vetëm dëme të vogla materiale.
Dyshohet se Alfred Debreshi, është person i përfshirë drejtpërdrejt në këtë ngjarje, pasi në bisedat e tij, ai disa herë i drejtohet vëllait të tij, Eltonit, me fjalët “më fute në burg”.
Po kështu gjatë bisedave ambientale të përgjuara, vëllezërit Debreshi flasin për mënyrën se si ato e kanë deklaruar ngjarjen përpara policisë dhe janë shumë të shqetësuar, pasi deklarimet e Alfredit nuk përputhen me ato të vëllait tjetër.
Shpërthimi u shënua në orët e para të mëngjesit të së premtes, 27 gusht, e për pasojë pati vetëm dëme materiale. Sindikata që drejton Debreshi e lidhi shpërthimin me kërcënimet që thuhet se ai ka pasur për shkak të aktivizimit për të drejtat e minatorëve.
Elton Debreshi ka kandiduar në zgjedhjet e 25 prillit si deputet i pavarur në Dibër, edhe pse nuk arriti të marrë votat për të siguruar mandatin. Ai ka dalë gjithnjë në mbrojtje të të drejtave të minatorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




