Gazeta Si – Një sasi tritoli ka shpërthyer mëngjesin e kësaj të marte në makinën e parkuar të kryetarit të PD-së së Rithemelimit në Bashkinë e Vaut të Dejës, Benard Ndreca.
Fatmirësisht, nga shpërthimi i tritolit që ishte vendosur në pjesën e përparme të autoveturës tip “Audi”, Ndreca nuk ka marrë dëmtime, ndërsa dëmet materiale të mjetit janë të konsiderueshme.
Ndreca, në një deklaratë për mediat, u shpreh mesditën e së martës se nuk ka konflike me asnjë dhe se bëhet fjalë për një akt politik.
Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 07:10 në fshatin Paçam, Vau i Dejës në Shkodër pranë banesës së Ndrecës.
Policia njofton se nga veprimet e para, del se shpërthimi ka ndodhur në momentin që Ndreca ka hipur në makinë dhe pavarësisht nga shpërhtimi i mjetit, ai ka shpëtuar për mrekulli pa marrë asnjë lëndim.
Fillimisht, Benard Ndreca ka ndezur makinën, është rikthyer në banesë dhe pas pak ka hipur sërish në mjet. Pranë tij ka kaluar edhe mamaja e tij, e cila u bë gati të hapte portën e madhe nga ku do të dilte i biri.
Në momentin që makina u nis, pa bërë asnjë metër, ajo ka shpërthyer në pjesën e përparme me kofanon, e cila u përplas mbi xhamin kryesor.
Megjithatë, nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale në pjesën e përparme të mjetit tip “Audi”.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se shpërthimi është kryer me telekomandë. Një provë shumë e madhe për hetuesit janë kamerat e shumta të sigurisë në banesën e Ndrecës, që do mund të zbardhin dinamikën e ngjarjes apo dhe autorët e dyshuar.
Në pamjet e kamerave të sigurisë së banesë së Ndrecës, shihen dy persona të maskuar që vendosin lëndën plasëse në pjesën e gomës së parë nga krahu i pasagjerit.
Dy personat e maskuar hyjnë në oborrin e banesës rreth orës 1:13 aty ku ishte e parkuar dhe makina tip Audi.
Pasi drejtohen tek automjeti i Ndrecës, njëri nga autorët shtrihet barkasi për të vendosur lëndën plasëse në pjesën e parme të makinës.
Ndërsa tjetri pozicionohet në gomën e parë nga krahu i pasagjerit. I gjithë procesi i vendosjes së lëndës plasëse zgjati rreth 6 minuta.
Benard Ndreca ka reaguar, pasi i shpëtoi atentatit me tritol që ishte vendosur në mjetin e tij tip ‘Audi’.
“Skam konflikte me asnjë, kjo është e përdorur politikisht. S’më është vendosur mua por kreut të PD së Vaut të Dejës sepse këtu janë të organizuar mirë. S’kam përplasje, as kërcënime. Janë parë pamjet, vijnë dy persona, në orën 1:15 të natës, rreth 7 minuta aty, vendosin eksplozivin dhe largohen. Janë të maskuar. Thirrja ime është, duke filluar që nga kryeministri: Të distancojnë policinë nga politika. Lërini njerëzit të votojnë të lirë. I bëj thirrje çdo lloj kahu politik, se vullneti i njerëzve dihet se ku shkon, nuk i mbani dot bashkitë e vendeve me presion”, – tha ai për mediat.
Ndërkaq, në banesën e kryedemokratit të Vaut të Dejës, Bernard Ndreca, kanë shkuar pas ngjarjes kandidati për kryetar bashkie, Zef Hila, Gentian Ndoj kryetar i PD-së së Alibeajt dhe deputetja e Qarkut Shkodër, Greta Bardeli.
Atentati ndaj Ndrecës, vjen vetëm pak orë pasi lista e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj në Vaun e Dejës, doli në mbështetje të Zef Hilës për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.