Është arrestuar pasditen e sotme autori I dyshuar për ngjarjen e shpërthimit në katin e dytë të një banese pranë shkollës “Vasil Shanto” një ditë më parë. Në pranga ka përfunduar Arben Bardhi 58 vjeç nga Lezha.
Si shkak për ngjarjen mendohet të jetë bërë një konflikt pronësie, madje familjes Stavro i është vendosur edhe më parë lëndë plasëse. Mësohet se personit të cilit iu vendos tritol, i cili merrej me biznes, i është djegur edhe një makinë.
Bardhi dyshohet se është autori i ngjarjes dhe gjithçka pas konflikteve, lidhur me një apartament i cili ishte blerë nga i dyshuari dhe që ishte sekuestruar nga banka.
Ngjarja u shënua në rrugën “Mihal Popi” në Tiranë rreth orës 21.10 të së enjtes, ku shpërtheu dera e jashtme nga një sasi lënde e dyshuar plasëse.
Nga hetimet e policisë dyshohet se shpërthimi është kryer me telekomandë, ndërkohë që pallati ku ndodhi ngjarja njihet si pallati i gjyqtarëve, për shkak se aty jetojnë një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Shpërthimi në katin e dytë të pallatit, shkaktoi panik të banorët ndërsa dëme material u regjistruan edhe në katin e tretë. Forca shpërthyese e eksplozivit dëmtoi dyert e apartamentit në katin sipër të cilat mbeten të mbyllura.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




