Futboll

Tri shuplaka Mançester Sitit, Liverpuli arratiset në +9 nga Guardiola

Gola, spektakël, gabime dhe polemika. Liverpul-Mançester Siti është mbyllur 3-1 dhe kjo është fitorja e 11-të në 12 ndeshje nga skuadra e trajnerit Jurgen Klop. Të gjithë i përulen Liverpulit, që shkëputet 9 pikë nga ekipi i Guardiolës, por janë legjitime protestat e spanjollit për një vendim që peshon jo pak në zhvillimin e ndeshjes.

I jashtëzakonshëm goli i Fabinjos që në fillim të ndeshjes, por para këtij aksioni topi u prek me dorë në zonën e Liverpulit nga Aleksandër-Arnold, pas krosit të Bernardo Silvës. Fabinjo gjuan fort nga 20 metra dhe mposht Bravon në vazhdim të aksionit, ndërsa VAR-i nuk ndërhyn. Më pas Liverpuli dyfishon. Kros i Robertson në zonë, Fernandinjo nuk arrin të ndërhyjë dhe Salah firmos 2-0. Avantazhi prej 2 golash për 13 minuta i jep Liverpulit siguri për ta administruar ndeshjen. Siti reagoi me Agueron dhe Angelino, ku ky i fundit godet shtyllën. Në fundin e pjesës së parë një shans i artë për Sitin, ku De Bryjne jep një asist për Agueron, por argjentinasi nuk është në ditën e tij më të mirë.

Me fillimin e pjesës së dytë, pas një krosi shumë të bukur të Henderson, Mane zhytet me kokë dhe shënon golin e tretë. Një goditje e fortë për Mançester Sitin, që gjithsesi reagon dhe përpiqet të kthehet në lojë me Sterling, më të lëvizshmin nga sulmuesit. Bernardo Silva, me një goditje perfekte, shënon për Sitin, ndërsa Klop inatoset, pasi ka një kontakt në zonë, ku Fabinjo rrëzohet nga kundërshtari. Liverpuli e administron mirë lojën deri në fund dhe tashmë është 9 pikë para Sitit, 8 nga Leiçesteri dhe Çelsi. Titulli duket gjithmonë e më pranë pas 30 vitesh pritje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë